Ka dështuar edhe tentativa e 19’të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka vazhduar sërish me përpjekje për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë, por që nuk ka marrë mbështetje.
PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe s’kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë, teksa kur është hedhur në votim s’kanë marrë pjesë fare në proces.
Në sallë ishin 109 deputetë.
Në dështim të votimit të Komisionit, Kryesuesi Avni Dehari ka ndërprerë seancën.
“54 deputetë për, një kundër, abstenime s’ka. Ndërpritet seanca”, tha Dehari.
Përpjekja e radhës do të bëhet të premten, në orën 11:00.
E propozuara e VV’së për këtë pozitë vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu./Reporteri.net
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas dështimit të përpjekjes së 19’të për konstituimin e Kuvendit, ka thënë se e kanë të paqartë se cila është kërkesa e partive që deri vonë ishin në opozitë, shkruan Reporteri.net.
Sipas Kusari-Lilës, bllokuesit për konstituimin e Kuvendit janë PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe që s’po marrin pjesë në votimin për Komisionin për votim të fshehtë, për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
“Këto votimet e fundit janë votime të cilat nuk ka pjesëmarrje të përfaqësuesve të partive opozitare. Në situatën aktuale, e kemi të paqartë se cila është kërkesa e opozitës. Cili është qëllimi i opozitës. Në rrethanën në të cilën jemi, është një situatë ku bllokuesit e vetëm janë partitë që nuk marrin pjesë në votim”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se nëse këto parti duan të bëjnë Qeveri vetë, së pari duhet ta konstituojnë Kuvendin.
“Në rast se duan të bëjnë Qeverinë ose të jenë pjesë e një qeverie të partive opozitare të deritashme, atë nuk mund ta kenë pa u votuar Kuvendi, nënkryetarët dhe pa u konstituar Kuvendi”, ka shtuar Kusari-Lila./Reporteri.net
E propozuara për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar sot para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që partitë e tjera të reflektojnë për bllokadën e krijuar.
Sipas saj, partia nga ajo vjen ka bërë “çdo gjë që kanë në dorë”.
“Urojmë që sot opozita do të marrë pjesë në votim sepse besoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme. Çkado që ka qenë në dorën tonë, ne e kemi bërë. Tani përgjegjësiambetet te opozita. Siç e kam theksuar edhe më herët, shpresojmë që të reflektojnë në mënyrë që të mund ta konstituojmë Kuvendin dhe të ecim përpara në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Haxhiu.
Në Kuvendin e Kosovës sot do të bëhet përpjekja e nëntëmbëdhjetë për konsitituimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Seanca pritet të nisë pas pak. /Reporteri.net/
Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “mashtrues” kryeministrin në detyrë, njëherit kreun e VV’së, Albin Kurtin, shkruan Reporteri.net.
Haradinaj tha se Kurti nuk e ka shumicën dhe se po manovron.
“Ky është me origjinë mashtures. Nuk e ka shumicën dhe po manovron kështu…Është ka e torturon Kosovën për me vazhdu me mbetë edhe deputet edhe kryetar qeverie jashtëligjshëm”, ka thënë Haradinaj.
Kurti deklaroi mbrëmë se AAK’ja e kaloi pragun falë Nismës. Për këtë deklaratë, Haradinaj me ironi ka thënë se as VV s’do ta kalonte pragun pa Alternativën.
“Besoj kjo është e ngjashme si VV e ka kalu pragun falë Guxo e Alternativës, edhe kjo e jona ashtu është. Pa Alternativën e Guxo, as Lëvizja Vetëvendosje s’e kish kalu pragun”, tha Haradinaj.
Kurti tha se është lajm që Limaj është kthyer në Kuvend.
“Është lajm që Fatmir Limaj, Komandant “Çeliku” është kthyer në Kuvendin e Republikës, që Nisma Socialdemokrate, që do të duhej të jetë parti simotër me VV’në i ka 3 deputetët në Kuvendin. Le të mos harrojmë, jo vetëm që u kthye Fatmir Limaj në Kuvendin e Republikës, por njëkohësisht ia mundësoi AAK’së ta kalojë pragun. Pa Nismën, AAK’ja kësaj radhe do të ngelej nën prag”, deklaroi Kurti./Reporteri.net
Ministri në detyrë dhe njëherësh deputeti i Listës Guxo, Faton Peci, është deklaruar para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, ku po tentohet për herë të 19-të radhazi që të konstituohet Kuvendi.
Peci theksoi se subjekti i tij është i hapur për bashkëpunim me partitë e tjera, duke përfshirë koalicione dhe partneritete të mundshme.
“Ne kemi reflektu në forma të ndryshme dhe kemi tregu që jemi të hapur si për opsione, partneritet edhe për koalicione e në anën tjetër në rast se ju e quani reflektim idenë që opozita me zgjedh kandidatin e partisë fituese, atëherë kjo nuk është reflektim por tentativë për me ta imponu kandidatin”, ka thënë Peci.
Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku është pyetur për deklaratën e Albin Kurtit se nuk mund t’ia japë postin e kryeparlamentarit një partie që ka vetëm tre deputetë.
Ajo ka insistuar se pesha e një lideri nuk varet nga numrat, por pesha që ka një lider dhe Limaj ka dhënë kontribut të çmueshëm, si gjatë çlirimit të vendit ashtu edhe në formimin e institucioneve.
“Diskutimet tona vazhdojnë brenda subjektit politik. Në Kosovë nuk kanë qenë gjithmonë numrat që e kanë përcaktu rëndësinë, por pesha që e ka një lider. Limaj ka autoritet dhe njihet si autoritet përafrues në skenën politike. Por pesha e një lideri nuk varet nga numrat në politikë”, ka thënë Izmaku.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka konfirmuar për herë të parë mbrëmë se ka pasur disa takime me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Kurti tha se kanë dështuar të arrijnë marrëveshje, shkaku i një parakushti të Limajt që ta kenë pozitën e Kryeparlamentarit.
Ai shprehu interesim për një koalicion me Limajn, në këmbim të ministrive, shkruan Reporteri.net.
“Unë jam shumë i interesuar që të bashkëqeverisim, pra që ata të kenë Ministri në Qeveri”, tha Kurti.
Sipas tij, një parti me tre deputetët s’mund ta ketë pozitën e Kreut të Kuvendit. /Reporteri.net/
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot (e mërkurë) në ora 11:00 në tentativën e 19-të për konstituimin e Kuvendit.
Kuvendi ka njoftuar zyrtarisht se seanca do të nisë në ora 11:00.
Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, mbi një muaj më parë. Bllokada tashmë ka hyrë në muajin e dytë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë dhënë sinjale se do të heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për këtë pozitë. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, mbrëmë deklaroi se kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës është vendim i partisë dhe nuk do të tërhiqet.
“Mos ta bëjmë këtë lojë negative. Duhet të respektojmë propozimet e njëri-tjetrit dhe të kemi një kryesi [Kuvendi] të bazuar në meritë”, tha Kurti në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, të transmetuar në mbrëmjen e së martës.
Në seancën e së shtunës, VV-ja madje propozoi që seancat të mbahen një herë në javë, e jo çdo 48 orë. Por, kjo u refuzua kategorikisht nga PDK e LDK duke thënë se kërkesa e VV-së është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, e cila parasheh që seanca të thirret brenda 48 orëve.
Ndërkohë, javën e kaluar presidentja e vendit, Vjosa Osmani pati një takim me krerët e partive politike pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituuim të Kuvendit. Në takimin e ftuar nga Osmani morën pjesë Albin Kurti (LVV), Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK).
Po ashtu, Presidentja pati një takim të ndarë me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.
Ky takim ka përfunduar pa ndonjë rezultat. Liderët partiakë thanë nuk është gjetur rrugëdalje për ngërçin e krijuar tash e një muaj. Ndërkohë presidentja Osmani tha se “ekziston një disponim minimal”, për të cilin tha është e bindur se do të rritet me kalimin e kohës.
Osmani po ashtu tha se mund ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, por se aktualisht do të presin. Ajo tha se këtë e ka përmendur edhe në takim dhe se s’ka pasur kundërshtim për këtë.
Tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA./Reporteri.net/