×
  • Lajme
  • Lajme
    INSTANT

    Shoqëria civile lyp zgjidhje urgjente për bllokadën: Ngërçi në Kuvend ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm, vendi po dëmtohet

    Reporteri
    23 Maj 2025 | 11:06

    Mbi 60 organizata të shoqërisë civile, ka reaguar rreth bllokimit të konstitutimit të Kuvendit të Kosovës. Thonë se kriza institucionale që pasoi zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit.

    “Qeveria aktuale, të cilës i ka përfunduar mandati, po vazhdon të veprojë pa mbikëqyrje dhe kontroll parlamentar, situatë kjo e papranueshme për një shtet demokratik”.

    “Në anën tjetër, Kuvendi jofunksional po e pamundëson miratimin e ligjeve të rëndësishme dhe vendimeve strategjike që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe qytetareve, duke rrezikuar stabilitetin institucional, zhvillimin ekonomik dhe besimin qytetar në përfaqësim demokratik. Bllokada aktuale është duke vonuar e rrezikuar pranimin e fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së, në kohën kur masat e vendosura nga BE dhe pezullimi pothuajse i tërësishëm i fondeve amerikane kanë reduktuar ndjeshëm mbështetjen financiare për Kosovën”.

    Në reagim thuhet se zhvillimet gjeopolitike aktuale kërkojnë përgjegjësi dhe veprime të shpejta nga shtetet demokratike.

    “Mosfuksionalizimi i Kuvendit të Kosovës është i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm. Ky stagnim rrezikon që vendet partnere të humbin besimin në aftësinë tonë për të ndërtuar institucione funksionale dhe për të vepruar si një shtet serioz në skenën ndërkombëtare”.

    Ato i bëjnë thirrje udhëheqësve të partive parlamentare që të marrin përgjegjësinë që u është besuar dhe të veprojnë menjëherë për tejkalimin e krizës politike.

    “Përmes dialogut dhe me fokus te zhvillimi i vendit dhe mirëqenia e qytetarëve, të arrijnë një marrëveshje që i jep fund bllokadës. Mungesa e vullnetit për bashkëpunim dhe përqendrim në interesin e përbashkët është e papranueshme dhe cenon thellë besimin publik në përfaqësimin demokratik.

    Mosveprimi nuk është opsion. Çdo vonesë e mëtejme kërkon llogaridhënie publike.Shoqëria civile mbetet e gatshme të ofrojë kontributin e saj për tejkalimin e kësaj krize dhe rikthimin e funksionalitetit demokratik në vend”, theksohet në reagim.

    Organizatat të cilat kanë reaguar (renditja sipas alfabetit):

    Advocacy Training & Resource Center (ATRC)|
    Asociacioni i Mediave të Pavaruara Elektronike të Kosovës (AMPEK)
    Balkan Green Foundation (BGF)
    CEL Kosova
    Center for Eduction and Community Development-Friends
    CIPOF Childproof
    Community Building Mitrovica (CBM)
    Community Development Fund (CDF)
    Democracy Plus (D+)
    Demokraci për zhvillim (D4D)
    Dylberizim
    Ekovizioni
    Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
    Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë
    Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar
    Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ)
    Hyjneshat
    Iniciativa për Progres (INPO)
    Iniciativa Qytetare Skenderaj
    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
    Instituti GAP
    Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI)
    Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
    Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED)
    Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”
    Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
    Instituti Sekhmet
    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut
    Kosovo Advocacy & Development Centre
    K-W4W
    Leadership Development Association Europe
    Lëvizja FOL
    Neë Social Initiative (NSI)
    Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë
    OJQ “ACCESS”
    OJQ “Vision02”
    OJQ EC Ma Ndryshe
    OJQ Fortesa
    OJQ Mundësia
    OJQ Politeia
    OJQ Zana
    OJQ Pishtarët
    Organizata Bubble
    Organizata ÇOHU!
    Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA
    Qendra Kosova për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT)
    Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)
    Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
    Qendra Kosovare për Zhvillim të Qëndrueshëm – QKZHQ
    Qendra për Arsim e Kosovës – KEC
    Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike (ACDC)
    Qendra për Barazi dhe Drejtësi
    Qendra Për Politika dhe Avokim (QPA)
    Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD
    QIKA
    Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)
    Rrjeti i OJQ-ve AVONET
    Rrjeti Qeliza
    SHL – Kosova
    Syri i Vizionit
    The Foundation House (ish-IPKO Foundation)
    YMCA Movement

    Balje tha se iu ofrua puna si profesoreshë në këmbim të votës për Haxhiun, Gërvalla: Nuk di për pazare të kësaj natyre

    Reporteri
    23 Maj 2025 | 11:48

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk është në dijeni për “pazare” për sigurimin e votave për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si Kryetare Kuvendi.

    Ajo pas dështimit të seancës së 20’të për konstituimin e Kuvendit, është pyetur edhe për deklaratën e deputetes boshnjake Duda Balje e cila konfirmoi sot se i është ofruar punë si profesoreshë në Shkup, në këmbim të votës për Haxhiun. Gërvalla tha se Balje dhe deputeti tjetër Adem Hoxha duhet të marrin pjesë në votim, “bllokuese sepse nuk jemi këtu në pazar, ku shitemi e blihemi”, shkruan Reporteri.net.

    “Absolutisht nuk kam asnjë informacion për këtë. U bëj thirrje edhe znj.Balje edhe z.Hoxha, që të heqin dorë nga qasja bllokuese sepse nuk jemi këtu në pazar, ku shitemi e blihemi. Është çështje parimore konstituimi i Kuvendit”, tha Gërvalla.

    Ajo shtoi se ka pasur biseda të vazhdueshme me deputetët në fjalë në mënyrë që të marrin pjesë në votim.

    “Nuk kam informacione të tilla vërtetë. Unë nuk di për pazare të kësaj natyre. Unë di për biseda të vazhdueshme për t’i vetëdijësuar që të marrin pjesë në votimin e Kuvendit”, tha Gërvalla para gazetarëve.

    Balje tha se ka pasur 2-3 thirrje për këtë çështje, por se ka refuzuar duke e cilësuar këtë si të papranueshme, shkruan Reporteri.net.

    “Po është e vërtetë. Pata disa thirrje, që s’janë persona direkt, të politikës. Janë shoqëri. Para disa vite kam apliku për vendin e profesoreshës në Maqedoni sepse kam shtetësinë e Maqedonisë dhe e flas mirë gjuhën. Kam plotësu krejt kushtet. Më s’kam apliku. Tash kanë thanë se ka mundësi me bisedu për vendin e punës”, ka thënë Balje.

    Ajo nuk tregoi se kush e ka telefonuar, teksa mbrëmë u pretendua se personi që e ka telefonuar ishte politikani shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Izet Mexhidi.

    “Nuk kanë thanë direkte, por mënyra…Ka qenë një shok, një mjek i Kosovës. Tash emri s’më kujtohet. Kam refuzu. Për mua ka qenë e papranueshme, mënyra qysh kanë ofru këto…2-3 thirrje”, tha Balje./Reporteri.net

    Gërvalla: Beteja politike bëhet për Qeverinë, deputetët të votojnë në seancën e ardhshme për zhbllokim

    Reporteri
    23 Maj 2025 | 11:39

    Deputetja e Vetëvendosjes, Donika Gërvalla, pas dështimit të 20’të për konstituimin e Kuvendit, ka fajësuar sërish deputetët e partive që deri vonë ishin në opozitë për ngërçin.

    Gërvalla ka thënë se duhet urgjent zhbllokimi i kësaj situate, duke shtuar se beteja politike bëhet për zgjedhje të Qeverisë, shkruan Reporteri.net.

    “Nuk më mbetet tjetër vecse të bëj thirrje që kjo qasje bllokuese të ndalet. Beteja politike bëhet për zgjedhje të Qeverisë. Beteja politike nuk bëhet për një temë e cila në fakt është e vetëkuptueshme”, tha Gërvalla.

    Gërvalla u ka bërë thirrje deputetëve që në seancën e ardhshme të votojnë për zhbllokim.

    “Ju bëj thirrje deputetëve që në seancën e ardhshme të votojnë për zhbllokim…Nuk është e drejtë e tyre që të mos marrin fare pjesë në votim për procedurë. Do të duhej urgjentisht më së largu brenda 48 orësh të zhbllokohet kjo situatë”, deklaroi Gërvalla.

    “Më pas kryeministrit Kurti i mbetet të marrë përgjegjësinë për formimin e Qeverisë, aty pastaj jemi tek numrat dhe fillojnë rrjedhin afatet ligjore per formimin e Qeverisë”, tha tutje ajo./Reporteri.net

    Çitaku: Jemi të gatshëm të hapim rrugë, kemi ofruar alternativa – Kurti të reflektojë

    Reporteri
    23 Maj 2025 | 11:30

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku pas dështimit të përpjekjes së njëzetë për konstituim të legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ka bërë thirrje për reflektim.

    Ajo është shprehur se PDK-ja ka lëshuar rrugë duke ofruar alternativa, por ka thënë se Kosova po mbahet peng për shkak të kryeneçësisë së Kurtit.

    “Sot kanë kaluar 103 ditë nga zgjedhjet, 103 ditë të humbura për Kosovën pa i adresuar hallet dhe problemet e qytetarëve. Ne jemi të gatshëm në çdo moment që të hapim rrugë. Kemi ofruar alternativat tona, mirëpo Kosova po mbahet peng i kryeneçësisë së Albin Kurtit. I bëjmë thirrje për reflektim që të ecim tutje”, ka thënë Çitaku para mediave.

    Përpjekja e radhës për konstituim të Kuvendit, e 21-ta me radhë do të bëhet të dielën.

    Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, mbi një muaj më parë. Bllokada tashmë ka hyrë në muajin e dytë. /Reporteri.net/

     

    Dështon për të 20’ën herë konstituimi i Kuvendit, VV edhe sot pa numra

    Reporteri
    23 Maj 2025 | 11:20

    Një tjetër përpjekje, e 20’ta me radhë, për konstituimin e Kuvendit ka dështuar sërish. As sot, Lëvizja Vetëvendosje nuk i kishte numrat. Në sallë ishin 111 deputetë, shkruan Reporteri.net. 

    VV ka vazhduar me përpjekjen për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë, por që nuk ka marrë mbështetje.

    Partitë tjera, si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe s’kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë. Kur është hedhur në votim përbërja e komisionit, ata s’kanë marrë pjesë fare në proces.

    Në dështim të votimit të Komisionit, Kryesuesi Avni Dehari ka ndërprerë seancën.

    “53 deputetë për, asnjë kundër, abstenime s’ka. Ndërpritet seanca”, tha Dehari.

    Përpjekja e radhës do të bëhet të dielën, në orën 11:00.

    E propozuara e VV’së për këtë pozitë vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu./Reporteri.net

    Haradinaj: Për kryetar të Kuvendit do të votonim edhe Glauk Konjufcën

    Reporteri
    23 Maj 2025 | 11:14

    Lideri i AAK-së, Ramush Haradinj, ka thënë se AAK-ja do të votojë për kryetar të Kuvendit vetëm një kandidat unifikues.

    Para fillimit të seancës, ai ka thënë se parti e tij do të mund të votojë për kryetar të Kuvendit edhe Glauk Konjufcën.

    “Po mbajmë shpresë se do të propozojnë një kandidat unifikues, ose kandidate.Ne prapë e kemi dhënë një opsion për me dalë nga kjo gjendje, do të jepnim votën për një kandidat unifikues. Pra, edhe pse nuk është përgjegjësi e jona, si një parti parlamentare, prapë e kemi dhënë një opsion për me dalë nga kjo gjendje. Pra, do të japim votën për kandidat të VV-së që është unifikues. Kemi përmendur dy zonja, Bogujevcin dhe Selimin, por do të mund ta votimin edhe z. Konjufca, nëse propozohet”, ka thënë Haradinaj.

    Në Kuvendin e Kosovës sot do të bëhet përpjekja e njëzetë për konstituim të legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. /Reporteri.net/

    Duda Balje konfirmon se ka ofertë për shitje të votës për Albulena Haxhiun: Ma ofruan pozitën e profesoreshës në Shkup

    Reporteri
    23 Maj 2025 | 11:12

    Deputetja boshnjake, Duda Balje, ka konfirmuar se i kanë ofruar punë si profesoreshë në Maqedoni të Veriut, në këmbim të votës për zgjedhjen e Albulena Haxhiu Kryetare Kuvendi.

    Balje tha se ka pasur 2-3 thirrje për këtë çështje, por se ka refuzuar duke e cilësuar këtë si të papranueshme, shkruan Reporteri.net.

    “Po është e vërtetë. Pata disa thirrje, që s’janë persona direkt, të politikës. Janë shoqëri. Para disa vite kam apliku për vendin e profesoreshës në Maqedoni sepse kam shtetësinë e Maqedonisë dhe e flas mirë gjuhën. Kam plotësu krejt kushtet. Më s’kam apliku. Tash kanë thanë se ka mundësi me bisedu për vendin e punës”, ka thënë Balje.

    Ajo nuk tregoi se kush e ka telefonuar, teksa mbrëmë u pretendua se personi që e ka telefonuar ishte politikani shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Izet Mexhidi.

    “Nuk kanë thanë direkte, por mënyra…Ka qenë një shok, një mjek i Kosovës. Tash emri s’më kujtohet. Kam refuzu. Për mua ka qenë e papranueshme, mënyra qysh kanë ofru këto…2-3 thirrje”, tha Balje./Reporteri.net

    Deputetja Adriana Matoshi arrin në Kuvend me një veshje ‘pak më ndryshe’

    Reporteri
    23 Maj 2025 | 11:00

    Deputetja Adriana Matoshi ka marrë vëmendje me veshjen me të cilën është paraqitur sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të bëhet përpjekja e njëzetë për konstituim të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Matoshi  shquhet për një stil më ndryshe, ndërsa përmes veshjeve në Kuvendin e Kosovës shpeshherë ka përcjellë edhe mesazhe politike të partisë ku bën pjesë, Vetëvendosjes.

    Ky është mandati i saj i dytë si deputete e Kuvendit të Kosovës.

    Foto: Nacionale
    Foto: Nacionale

    Kurti arrin në Kuvend i rrethuar nga truprojat, sërish injoron pyetjet rreth bllokadës

    Reporteri
    23 Maj 2025 | 10:53

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka injoruar sërish gazetarët, para vazhdimit të seancës konstituive.

    Teksa po hynte në objektin e Kuvendit të Kosovës, i rrethuar nga truprojat, Kurti është pyetur rreth bllokadës, por si zakonisht s’është përgjigjur, shkruan Reporteri.net.

    Seanca pritet të fillojë në orën 11:00. Kjo është tentativa e 20’të për konstituimin e Kuvendit.

    E propozuara e VV’së për Kryetare Kuvendi vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu, e cila po kundërshtohet partitë tjera.

    Nga të gjitha herët që emri i saj është hedhur në votim, Haxhiu më së shumti ka marrë 57 vota, të pamjaftueshme për zgjedhjen e saj, meqë nevojiten 61 vota./Reporteri.net

    Sot tentativa e 20-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

    Reporteri
    23 Maj 2025 | 7:17

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot (e premte) në ora 11:00 në tentativën e 20-të për konstituimin e Kuvendit.

    Kuvendi ka njoftuar zyrtarisht se seanca do të nisë në ora 11:00.

    Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, mbi një muaj më parë. Bllokada tashmë ka hyrë në muajin e dytë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë dhënë sinjale se do të heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për këtë pozitë. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, gjatë kësaj jave deklaroi se kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës është vendim i partisë dhe nuk do të tërhiqet.

    “Mos ta bëjmë këtë lojë negative. Duhet të respektojmë propozimet e njëri-tjetrit dhe të kemi një kryesi [Kuvendi] të bazuar në meritë”, tha Kurti në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, të transmetuar në mbrëmjen e së martës.

    Javën e kaluar VV-ja madje propozoi që seancat të mbahen një herë në javë, e jo çdo 48 orë. Por, kjo u refuzua kategorikisht nga PDK e LDK duke thënë se kërkesa e VV-së është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, e cila parasheh që seanca të thirret brenda 48 orëve.

    Ndërkohë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani pati një takim me krerët e partive politike pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituuim të Kuvendit. Në takimin e ftuar nga Osmani morën pjesë Albin Kurti (LVV), Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK).

    Po ashtu, Presidentja pati një takim të ndarë me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.

    Ky takim ka përfunduar pa ndonjë rezultat. Liderët partiakë thanë nuk është gjetur rrugëdalje për ngërçin e krijuar tash e një muaj. Ndërkohë presidentja Osmani tha se “ekziston një disponim minimal”, për të cilin tha është e bindur se do të rritet me kalimin e kohës.

    Osmani po ashtu tha se mund ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, por se aktualisht do të presin. Ajo tha se këtë e ka përmendur edhe në takim dhe se s’ka pasur kundërshtim për këtë.

    Tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!