Ministrja në detyrë dhe kryetarja e GUXO, Donika Gërvalla, i ka dalë në krah Ministrit në detyrë të Bujqësisë, njëherit kryetarit tjetër të kësaj partie, Faton Pecit, i cili po intervistohet nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të dyshuarit lidhur me aferën për fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore.
Gërvalla ka sulmuar Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn. Ajo e ka cilësuar këtë si hakmarrje, shkruan Reporteri.net.
“Inskenim i gërditshëm ky aksioni i sotëm i Blerim Isufajt kundër ministrit Faton Peci, ministrit më shembullor të këtij mandati. Hakmarrje e shëmtuar ndaj betejës së suksesshme të Fatonit kundër korrupsionit dhe guximit të tij për t’u ballafaquar me secilën shkelje të ligjit, pa marrë parasysh se sa të rrezikshëm janë shkelësit dhe sa shumë shokë e ortakë kanë në Prokurorinë Speciale”, ka shkruar Gërvalla.
Sipas saj, ky është tentim për ta njollosur Pecin.
“Kur pikërisht ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë shtetin ligjor dhe qytetarët e Republikës nga krimi i keqpërdorin organet e drejtësisë për hakmarrje dhe për të njollosur figurat e suksesshme dhe të pastra politike, atëherë asgjë më nuk duhet të na habisë. Por, kthim prapa nuk ka. Deri në reformimin e plotë edhe të sistemit të drejtësisë”, ka shkruar Gërvalla.
Intervistimi i Pecit vjen pas bastisjeve që janë kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale në katër lokacione, Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe në lokacionin e kompanisë përfituese të kontratës lidhur me dyshimet me fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore.
Prokurori i rastit, Admir Shala sot gjatë ditës, në një deklaratë për mediat ka thënë shkurt se Prokuroria Speciale ka nisur hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Në anën tjetër, nga Ministria e Bujqësisë kanë thënë se janë të gatshëm të ofrojnë çdo informatë për çdo interesim që mund të ketë.
“Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Bujqësisë./Reporteri.net