Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, pas bisedës telefonike së zhvilluar me homologun e tij e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka folur gjithashtu në telefon dhe me Atin e Shenjtë.
Me Papa Leo XIV, Putin është shprehur falënderues dhe mirënjohje ndaj tij për gatishmërinë që të ndihmojë në zgjidhjen e luftës në Ukrainë, raporton ANSA.
Kujtojmë se biseda mes Trump dhe Putin ditën e sotme zgjati rreth 1 orë e 15 minuta, nga ku pjesë e diskutimeve kryesore ishin sulmet Rusi-Ukrainë në këto ditë, por gjithashtu dhe për Iranin.
Sipas Trump, biseda ishte e mirë, por jo që të çonte drejt një paqeje të menjëhershme me Ukrainën. Putin është shprehur me bindje se “ndjen detyrimin” për t’ju përgjigjur Ukrainës për sulmin e fundit.
Lidhur me Iranin, Trump shkruan se Putin ka shprehur vullnetin e tij për të marrë pjesë në diskutime me Iranin, që të mos ketë armë bërthamore.
“Sapo përfundova së foluri në telefon me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Telefonata zgjati afërsisht një orë e 15 minuta. Diskutuam sulmin ndaj aeroplanëve të ankoruar të Rusisë nga Ukraina, si dhe sulme të tjera të ndryshme që kanë ndodhur nga të dyja palët. Ishte një bisedë e mirë, por jo një bisedë që do të çojë në paqe të menjëhershme. Presidenti Putin tha, dhe shumë fuqishëm, se do të duhet t’i përgjigjet sulmit të fundit ndaj aeroporteve. Diskutuam gjithashtu për Iranin dhe faktin se koha po mbaron për vendimin e Iranit në lidhje me armët bërthamore, i cili duhet të merret shpejt! I thashë Presidentit Putin se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore dhe, për këtë, besoj se ishim dakord. Presidenti Putin sugjeroi që ai do të marrë pjesë në diskutimet me Iranin dhe se ndoshta mund të jetë i dobishëm në arritjen e një përfundimi të shpejtë. Mendimi im është se Irani e ka ngadalësuar vendimin e tij për këtë çështje shumë të rëndësishme dhe do të na duhet një përgjigje përfundimtare në një periudhë shumë të shkurtër kohore!”, shkruan Trump në platformën “Truth Social”.