Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është në pritje që ekspertët ta përfundojnë draftin e ri të Ligjit i i Ligjit për Dhomat e Specializuara, i njohur si Ligji për Gjykatën Speciale.

Duke folur para mediave në ceremoninë e 27-vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Kurti ka thënë se janë në pritje të ekspertëve juridikë për ta përmbyllur këtë proces.

“Gjatë kësaj jave kemi thënë dhe po presim nga ekspertët që ta përmbyllin këto ditë”, deklaroi shkurtimisht Kurti.

Reklamë

Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësimin për zhvillimet politike rreth plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

OVL-UÇK ka paralajmëruar se, nëse procesi vazhdon të zvarritet dhe nuk përfundon së shpejti, do të organizojë protesta gjithëpopullore.

Organizata e ka cilësuar të papranueshme zvarritjen e kësaj çështjeje për shkak të përplasjeve politike apo presionit të bashkësisë ndërkombëtare.

“Qeveria dhe shumica parlamentare duhet ta kenë të qartë se përgjegjësia e tyre është të veprojnë dhe të mos lejojnë që vonesat të bëhen pengesë për përfundimin e këtij procesi”, thuhet në reagimin e veteranëve.

OVL-UÇK ka kërkuar që plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratohen me procedurë të përshpejtuar, brenda afatit më të shkurtër që lejojnë procedurat parlamentare dhe institucionale.

Reklamë

Më herët, Kurti ka bërë të ditur se në grupin punues për këtë çështje janë të përfaqësuara institucionet relevante dhe partitë politike parlamentare, ndërsa në hartimin e dokumenteve janë angazhuar edhe ekspertë juridikë.

Ai ka theksuar se përmbajtja e ligjit duhet të punohet me kujdes, të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës, para se të procedohet për diskutim dhe miratim.

Kryeministri ka deklaruar gjithashtu se qëndrimi i tij ndaj Gjykatës Speciale mbetet i pandryshuar që nga pranvera e vitit 2015.