×
  • Lajme
  • Botë / Analiza e mediave

    Tetë mënyrat se si Trump dhe Musk mund të dëmtojnë rëndë njëri-tjetrin

    Reporteri
    06 Qershor 2025 | 16:37

    Lufta mes njeriut më të pasur dhe atij më të pushtetshëm të botës premton dëme për të dy. Pas një periudhe bashkëpunimi që ka zgjatur një vit e ndoshta më shumë, dje Elon Musk dhe Donald Trump shkëmbyen akuza të forta.

    Por, a do të kalojnë nga fjalët në vepra, apo do të pajtohen sërish? E sigurt është se miliarderi dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara mund të shkaktojnë dëme të mëdha njëri-tjetrit. New York Times, BBC dhe media të tjera ndërkombëtare kanë analizuar mundësitë.

    1. Musk mund të përdorë pasurinë e tij

    Miliarderi i Tesla dhe SpaceX ka investuar të paktën 250 milionë dollarë për të ndihmuar Trumpin të fitojë zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Tani, ai mund të përdorë të njëjtën shumë ose më shumë për të financuar fushata kundër presidentit, duke mbështetur kandidatët republikanë që janë kundër tij ose madje edhe disa demokratë. Ai mund të përdorë gjithashtu platformat e tij mediatike për të sabotuar propozimet e ligjeve të Shtëpisë së Bardhë.

    2. Musk mund të futë “ në lojë” mediat sociale

    Gjatë një përplasjeje me Trumpin, Musk publikoi një sondazh në X (ish-Tëitter) ku pyeste: “A është koha për të krijuar një parti të re politike në Amerikë që vërtet i përfaqëson 80% të njerëzve që ndihen në qendër?” Dy milionë përdorues morën pjesë, dhe 80% e tyre u përgjigjën po. Musk ka mjetet dhe financat për të krijuar një parti të re, edhe pse nuk mund të kandidojë për president për shkak të kërkesës kushtetuese që kërkon lindjen në SHBA.

    3. Akuzat e ndërsjellta

    Musk ka sugjeruar se administrata Trump ka vonuar publikimin e plotë të dosjes mbi akuzat ndaj Jeffrey Epstein, duke pretenduar se Trump mund të jetë i përfshirë. Ai nuk ka paraqitur prova, por ka shkruar në X: “Shënoni këtë postim për të ardhmen. E vërteta do të dalë në dritë.” Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve e kanë shpërndarë këtë postim, duke përdorur principin “armiku i armikut tim është miku im”. Ky është një metodë që Musk dhe Trump kanë përdorur për të sulmuar kundërshtarët e tyre.

    4. Musk mund të përdorë kompanitë e tij

    Pas vendimit të Trumpit për të larguar një aleat të Musk nga drejtimi i NASA-s, Musk kërcënoi të ndalonte menjëherë programin e anijeve Dragon, që përdoren për të çuar astronautët amerikanë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Nëse ai e bën këtë, programi hapësinor i SHBA-ve mund të paralizohet. Megjithatë, ai ka bërë një hap pas pas në këtë çështje. Steve Bannon, ideologu i trumpizmit, ka kërkuar që Trump të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për të konfiskuar SpaceX nga Musk. Ky veprim do të çonte sigurisht në një betejë ligjore.

    5. Trump mund të anulojë kontratat me Musk

    Presidenti ka sugjeruar në Truth Social se anulimi i kontratave qeveritare me kompanitë e Musk, si SpaceX dhe Tesla, mund të kursejë miliarda dollarë në buxhetin federal. Në vitin 2024, kompanitë e Musk morën premtime për pothuajse 100 kontrata nga 17 agjenci qeveritare, me një vlerë totale prej 3 miliardë dollarësh. Edhe pse kjo nuk është një humbje e madhe për Musk, është një perspektivë e pakëndshme për të.

    6. Trump hetim ndaj Musk?!

    Steve Bannon ka këshilluar Trumpin të hapë një hetim qeveritar mbi statusin e Musk si emigrant, duke sugjeruar se ai mund të jetë një “emigrant ilegal që duhet të dëbohet menjëherë”. Bannon gjithashtu ka kërkuar një hetim mbi përdorimin e mundshëm të drogës nga Musk dhe përpjekjet e tij për të marrë informacione të klasifikuara mbi planet ushtarake të SHBA-së ndaj Kinës.

    7. Trump mund të revokojë lejet e sigurisë

    Një nga reagimet e sugjeruara nga Bannon është që Trump të revokojë lejet speciale të sigurisë që lejojnë Musk të ketë kontrata me NASA-n dhe agjenci të tjera qeveritare. Pa këto leje, është e vështirë që kompanitë e Musk të vazhdojnë të punojnë për qeverinë federale.

    8. Trump ka një avantazh, pushtetin! Po Musk…?!

    Trump ka përdorur fuqitë e tij të presidentit për të nënshkruar urdhra ekzekutivë dhe për të urdhëruar hetime nga Departamenti i Drejtësisë ose FBI kundër individëve të caktuar. Ai mund të mbyllë projekte të rëndësishme për Musk, si Departamenti i Efikasitetit Qeveritar (DOGE), që Musk drejtoi deri para pak javësh, ose të distancohet nga akuzat për gjenocid të bardhëve në Afrikën e Jugut, që Musk ka ngritur./tvklan.al

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!