×
  • Lajme
  • Lajme / Ngërçi

    “VV e ka marrë peng Kuvendin, po i pëlqen bllokada”, kritikat që PDK e AAK ia bën sot partisë së Kurtit

    Reporteri
    15 Qershor 2025 | 17:57

    Për herë të 32-të sot dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Përveç VV-së, partitë tjera politike nuk propozuan anëtarë për Komisionin për Votim të fshehtë, çka seanca u shty për ditën e hënë, shkruan Reporteri.net.

    Pas dështimit, partitë PDK e AAK adresuan kritika në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë se po e mban peng Kuvendin dhe se po i pëlqen kjo bllokadë, shkruan Reporteri.net.

    Deputetja e PDK-së,  Vlora Çitaku, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe mosgatishmërinë për kompromis politik, shkruan Reporteri.net.

    Ajo e ka cilësuar situatën si një “pengmarrje klasike”, duke theksuar se PDK ka ofruar një alternativë për tejkalimin e krizës, por që nuk është marrë parasysh nga mazhoranca aktuale.

    “VV po e mban të bllokuar konstituimin e Kuvendit. Kjo është pengmarrje klasike,” tha Çitaku në një deklaratë për media, duke shtuar se Vetëvendosje po këmbëngul në kandidatin e saj për kryetar Kuvendi, pavarësisht mungesës së shumicës parlamentare.

    Çitaku tha se PDK, ndonëse nuk ka detyrim të mbështesë kandidatin e VV-së, por që siç tha ajo ka shprehur gatishmëri për t’u angazhuar në një zgjidhje institucionale.

    “Kemi ofruar alternativë duke i propozuar një nga 40 deputetët tjerë. Ne nuk votojmë në diktat, pa marrëveshje politike. Kjo është pengmarrje,” theksoi ajo.

    Ajo gjithashtu tha se PDK-ja i bën thirrje “Presidentes të marrë një rol më aktiv”.

    Kurse, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se partisë së Albin Kurtit po i pëlqen bllokada dhe moskonstituimi i Kuvendit po i humbet imazhi i vendit,

    “Ne nuk po shohim ndonjë angazhim, vetëm po shohim që po i pëlqen kjo bllokadë. Shkelin ligje kushtetuese, ende jemi në pritje të përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese, vërtetë nuk ka kuptim – në këtë formë po humbet imazhi i Kosovës, nuk ka interes as nga partnerët tanë. Të presim vendimin e gjykatës dhe një reflektim të kësaj partie,” tha Kadrijaj.

    Ajo kërkoi reflektim nga të gjithë aktorët politikë dhe theksoi rëndësinë e respektimit të Kushtetutës si themel i funksionimit demokratik të vendit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!