×
  • Lajme
  • Lajme / Fabrika për mbetjet shtazore

    Bislimi kritika Prokurorisë pas intevistimit, i pengojnë edhe mediat: Qëllimi i intervistimit tim ishte prodhimi i lajmit medial

    Reporteri
    18 Qershor 2025 | 12:32

    Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar pas intervistimit për një orë e gjysmë nga Prokuroria Speciale  në lidhje me fabrikën për mbetjet shtazore.

    Bislimi ka thënë se  intervistimi i tij ka qenë i panevojshëm, duke konsideruar që informacionet që ka dhënë, kanë mundur të grumbullohen pa pasur nevojë për intervistim.

    “Sot isha në prokurori i ftuar në cilësinë e dëshmitarit në hetimet e prokurorisë rreth funksionalizimit të fabrikës për nënproduktet shtazore në Drenas. Intervista zgjati diku 1 orë e 30 minuta dhe përgjatë kësaj kohe nuk kishte asnjë pyetje që mund të cilësohet si pyetje drejtuar një dëshmitari. Poashtu arrita të konfirmoj që të gjitha informacionet që prezantova sot kanë mund të grumbullohen shumë lehtë pa patur nevojë fare për intervistim. Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Evropian”, ka shkruar ai.

    Tutje, Bislimi tha se se “qëllimi parësor” i intervistës ka qenë prodhimi i lajmit medial.

    “Nisur nga fakti se hyrja e ndërtesës ku u mbajt intervista ishte vërshuar nga portalet, gjë që nuk ndodh më raste të tjera kur ftohen dëshmitarët, dhe nga përvoja e nxjerrjes në media të lajmit për intervistim saktësisht kur po zhvillohej takimi trilateral i dialogut në Bruksel, del i pashmangshëm përfundimi se qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin “skandal”. “Skandal” që origjinën nuk e ka as në Ministri të linjës e as në prokurori, por te eksponentë të medias. Kjo e vendosë prokurorinë në një perspektivë jashtëzakonisht negative karshi përgjegjësive që ka dhe orientimit që ka zgjedhur të ndjekë. Do të ishte me interes të shumëfishtë që kjo qasje të rishikohet. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!