×
  • Sport
  • Sport

    Trump e pret ekipin e Juventusin në Shtëpinë e Bardhë dhe i vë në siklet futbollistët me një pyetje

    Reporteri
    19 Qershor 2025 | 12:42

    Gjatë vizitës së Juventusit në Shtëpinë e Bardhë këtë të mërkurë (klubi italian ndodhet në SHBA për Botërorin e Klubeve), Presidenti Donald Trump nuk humbi rastin të përfshinte një temë të nxehtë në diskursin e tij: pjesëmarrja e atletëve transgjinorë në sportin e femrave.

    Teksa lojtarët e Juventusit qëndronin prapa tavolinës së Zyrës Ovale, Trump nisi një fjalim të gjatë kundër ish-presidentit Joe Biden, duke e akuzuar për mbështetje ndaj kufijve të hapur dhe lejimin e burrave që të garojnë në sportet e grave.

    Më pas, ai iu drejtua drejtpërdrejt lojtarëve të Juventusit me një pyetje provokuese:

    “A mund të luante një grua në skuadrën tuaj, djema?”

    Lojtarët u panë mes tyre pa dhënë përgjigje, ndërsa Trump ia përsëriti pyetjen drejtorit të përgjithshëm të klubit, Damien Comolli. Ky i fundit tha shkurt:

    “Kemi një ekip shumë të mirë femrash.”

    Por Trump e nguli këmbë: “Por ato duhet të luajnë me femrat, apo jo?” – duke mos marrë përgjigje për herë të dytë.

    “Janë shumë diplomatikë,” ironizoi Trump.

    Presidenti amerikan e ka bërë luftën kundër përfshirjes së atletëve transgjinorë në sportet e femrave një shtyllë kryesore të mandatit të tij të dytë.

    Në shkurt 2025 ai firmosi dekretin “Të ndalim meshkujt në sportet e femrave”, duke detyruar NCAA-n të ndryshojë rregullat e përshtatshmërisë gjinore, përcjell Syri.

    Megjithatë, ky dekret është kundërshtuar fort nga disa shtete të drejtuara nga demokratët, si Maine dhe Minnesota, ndërsa janë hapur hetime federale kundër ligave të shkollave të mesme në Kaliforni dhe Massachusetts.

    Një sondazh i New York Times/Ipsos tregon se 79% e amerikanëve nuk e mbështesin përfshirjen e meshkujve biologjikë në sportet e femrave, përfshirë edhe 67% të vetë demokratëve të anketuar./Express

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!