×
  • Extra
  • Extra

    6 sjellje që ty të duken të mira, por i bëjnë burrat të humbasin interesin shpejt

    Reporteri
    25 Qershor 2025 | 23:17

    Po, e dimë, askush nuk mund të jetë 100% versioni më i mirë i vetes gjatë gjithë kohës. Sidomos në lidhje, ku ekspozojmë jo vetëm të mirën, por edhe atë pjesën tjetër që do donim ta fshihnim nga kushdo. Megjithatë, ka disa sjellje që, edhe pse mund të duken të pafajshme, bëjnë që një burrë të largohet menjëherë.

    Këto janë 6 sjellje që, sipas ekspertëve, shuajnë tërheqjen e tij shpejt si me magji:

    1. Kur përpiqesh ta kontrollosh, në emër të “ndreqjes”

    Je ajo vajza që e di gjithmonë më mirë. E korrigjon, i tregon si bëhet, i nxjerr në pah çdo gabim dhe e sheh si një projekt që duhet “rregulluar”. E ke me qëllim të mirë, e dimë, por kur e “vë në pozitë” vazhdimisht, ai fillon të ndihet si nxënës i keq, jo si partner.

    2. Kur sillesh si mami i tij

    Ti kujdesesh, e përkëdhel, e merr me të mira, por në një moment kalon nga partnerja në mamin e tij. Dhe ai? Ose do të fillojë të rebelohet si adoleshent, ose do humbasë fare interesin. Asnjë burrë nuk do një nënë në vend të partneres. Dhe ti, për hir të së vërtetës, nuk je aty për të rritur dikë, por për të ndarë jetën me të.

    3. Kur e përdor intimitetin si “shpërblim”

    Nëse seksi bëhet kartë për të marrë atë që do, me stilin “nëse sillesh mirë, ke shpërblim”, ti nuk po ndërton lidhje. Po manipulon. Dhe kjo, përtej faktit që nuk është e drejtë, krijon një lidhje toksike ku intimiteti humbet çdo kuptim.

    4. Kur pret të të “shpëtojë”

    Shpëtimtari dhe princesha e pafuqishme janë fabula që shitet vetëm në përralla. Në jetën reale, kur je gjithmonë “në nevojë”, do vijë momenti kur ai thjesht lodhet. Burrat nuk duan të jenë heronj të përhershëm, duan partnere me të cilën përballen bashkë me jetën.

    5. Kur lidhja bëhet një llogari bankare

    Nëse ke nisur të numërosh kush pagoi më shumë, kush bëri më shumë, kush dha më tepër, ndoshta je në marrëdhënie me… një tabelë Excel-i. Dashuria nuk është transaksion, është përvojë. Nëse çdo gjë matet me fatura, emocionet thahen dhe lidhja kthehet në një kontratë të ftohtë bashkëpunimi.

    6. Kur ke nevojë të adhurohesh, jo të duhesh

    Je vajza që s’do thjesht dashuri, por një audiencë të përhershme që të duartroket. Një lidhje ku njëri është në qendër të vëmendjes dhe tjetri spektator, nuk zgjat. Sepse në fund, nuk po ndërtoni lidhje, po ndërtoni fasadë.

    Nëse ndihesh e prekur nga ndonjë pikë, qetësohu. Ne të gjitha kemi bërë ndonjë prej tyre në një moment ose tjetër. Rëndësia qëndron te ndërgjegjësimi dhe ndryshimi. Sepse kur e njohim veten, lidhjet tona bëhen më të shëndetshme dhe më të vërteta.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!