×
  • Sport
  • Sport

    Herën e parë refuzoi 1.4 miliard euro, sauditët nuk dorëzohen dhe kthehen me një ofertë marramendëse për Messin

    Reporteri
    26 Qershor 2025 | 15:33

    “Kontaktuam Messin sapo i përfundoi kontrata me PSG-në. I ofruam 1.4 miliardë euro, por ai refuzoi, sepse familja e tij donte të shkonte në Amerikë. U befasova, nuk mendoja se një lojtar mund të refuzonte kaq shumë para. Sidoqoftë, e respektojmë, sepse familja është më e rëndësishme se paratë.”

    Një vit pas këtyre deklaratave, presidenti i Al Hilal, Fahd bin Namel, rikthehet në skenë për të provuar sërish transferimin e Lionel Messit në kampionatin arab dhe për t’i dhuruar Simone Inzaghit një skuadër ëndrrash.

    Sipas të përditshmes saudite “Al-Midan Sports”, kreu i klubit në fjalë është aktualisht në SHBA dhe në ditët në vijim do të takohet me Jorge Messi, babanë dhe njëherësh menaxherin e yllit argjentinas, për t’i paraqitur një ofertë të re (ndoshta marramendëse) dhe për të sonduar disponueshmërinë e “Pleshtit” për t’u transferuar në Arabinë Saudite që këtë verë, edhe pse kontrata e tij me Inter Miami përfundon në dhjetor të këtij viti.

    Sipas burimeve të cituara nga mediat arabe, në brendësi të drejtuesve të Al Hilal tashmë po flitet konkretisht për këtë takim, që mund të jetë vendimtar për të ardhmen e afërt të numrit 10.

    Klubi saudit e konsideron Messin si “qershinë mbi tortë” për të forcuar projektin e tij global dhe për të garuar denjësisht me klubet më të mëdha europiane, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.

    Për këtë arsye, ata do të bëjnë gjithçka për ta bindur argjentinasin, i cili një vit më parë kishte deklaruar se donte ta mbyllte karrierën në MLS, por që mund të ketë ndryshuar mendje pas 50 golave në 60 ndeshje me Inter Miami, shkruan telesport.

    “Zgjedhja ime e parë ishte të kthehesha te Barcelona, por nuk qe e mundur. Mendoja shumë edhe për kampionatin saudit. Jam ambasador i turizmit të Arabisë Saudite, është një destinacion që e njoh dhe më tërhiqte, – kishte thënë Messi për ESPN. – Inter Miami do të jetë klubi im i fundit. Të paktën sot për sot, është skuadra ime e fundit”.

    “Të paktën sot për sot”…; sepse në Arabinë Saudite dinë të jenë shumë bindës. Së shpejti Messi do të duhet të vendosë se cili do të jetë hapi i fundit në karrierën e tij, në moshën 38-vjeçare: të vazhdojë në Miami apo të bashkohet me Simone Inzaghin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!