Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i ka ftuar në takim për nesër krerët e partive të tjera politike.
Kurti ka shkruar se aktgjykimi i Kushtetueses thekson qartë se konsituimi i Kuvendit është obligim i të gjithë partive, dhe jo vetëm i subjektit të parë.
Takimi pritet të zhvillohet nesër (e shtunë), në ora 16:00.
“Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka shkruar Kurti.
Organizata të shoqërisë civile kanë protestuar sërish para Kuvendit kundër bllokadës së krijuar tash e dy muaj, si pasojë e moskonsituimit të Kuvendit.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se Kuvendi duhet të konstitutuohet përmes një marrëveshje politike, shkruan Reporteri.net.
“Partia fituese ka të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit, por kjo e drejtë është njëkohësisht edhe detyrim për të bashkëpunuar me grupet e tjera parlamentare në mënyrë konstruktive, për të siguruar shumicën e nevojshme. Kjo e drejtë në asnjë rrethanë nuk mund të përdoret si instrument për të mbajtur Kuvendin të bllokuar”, thuhet në reagim.
KDI ka thënë se Gjykata Kushtetuese, me Aktgjykimin që publikoi dje, e bëri të qartë se votimi për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit duhet të jetë i hapur.
“Gjykata po ashtu e bëri të qartë se votimi duhet të jetë i hapur, ashtu siç ka qenë gjithmonë në seancat konstituive të mëparshme. Rendi i ditës i përcaktuar në Rregullore duhet të respektohet me përpikmëri nga Kryesuesi i seancës, ndërsa Kuvendi ka obligim të përmbyllë procesin e konstituimit brenda afatit 30-ditor”.
Sipas kësaj organizate, çdo ditë pa institucione funksionale është dëm për ekonominë, demokracinë dhe besimin qytetar.
“Prandaj, koha për përgjegjësi është tani. E konsensusi politik nuk është më çështje vullneti, por domosdoshmëri për të dalë nga kjo krizë”, thuhet në reagim.
Ndryshe, partitë janë pajtuar për ndërprerjen e seancës së sotme, në mënyrë që ajo të vazhdojë pas takimit të ftuar nga kryeministri në detyrë, njëherit kreu i VV’së, Albin Kurti, me liderët e partive tjera./Reporteri.net
Në takimin e ftuar për nesër nga kryeministri në detyrë, njëherit kreu i VV’së, Albin Kurti, PDK do të përfaqësohet nga Kryetari i saj, Memli Krasniqi, shkruan Reporteri.net.
Kjo është bërë e ditur nga deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda.
“Kryetari jonë z.Krasniqi e përfaqëson partinë nesër në takim dhe qëndrimet që dalin pas atij takimi i shpreh kryetari”, tha Gruda.
Gruda përsëriti qëndrimin e partisë se Kryetari i Kuvendit s’mund të zgjidhet pa konsensus e kompromis.
“Prej ditës së parë kemi thanë . Këto dy fjalë i keni në Aktgjykimin e Kushtetueses”, tha Gruda./Reporteri.net
Partitë politike janë pajtuar që ta ndërprejnë seancën e sotme, pas një konsulte që mbajtën lidhur me Aktgjykimin e Kushtetues, shkruan Reporteri.net.
Kryesuesi Avni Dehari tha se partitë janë pajtuar që seanca e sotme të ndërpritet, e të mbahet pas takimit të Kurtit me partitë. Seanca e radhës u caktua për 29 qershor, në orën 11:00.
Në sallë ishin 100 deputetë.
“Pas Aktgjykimit të Kushtetueses, sot u mblodhëm me përfaqësuesit e subjekteve. Të gjithë ishin të mendimit që seanca sot të ndërpritet. Pasi të mbahet nesër takimi me liderët politikë që është ftuar të vazhdojmë me seancën më 29.06.2025, në orën 11:00”, tha Dehari./Reporteri.net
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ftoi partitë politike për një konsultim paraprak para nisjes së seancës konstituive, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kjo tha ai pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Për shkak të aktgjykimit të Gjykatës politike e shoh të nevojshme të mblidhemi së bashku me përfaqësuesit e partive për një konsultim paraprak”, tha Dehari.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është afruar tek Kryesuesi i seancës për konsultë, ashtu siç paralajmëroi, shkruan Reporteri.net.
Paraprakisht ai tha se duhet të kthehet votimi i hapur dhe të ketë dakordim për kandidaten për kryetare Kuvendi.
“Ajo që besojmë tani se janë pjekë kushtet me u kthy praktika e votimit të votës së hapur. Janë pjek kushtet edhe për konsultua për t’u dakorduar për kandidaten. Në këtë seancë për mos me leju me shku me të vjetrën, kemi ra dakord me znj.Time Kadriaj, kemi ra dakord për një konsultë me Kryesuesin e seancës që ta diskutojmë mundësinë e kthimit në votën e hapur dhe dakordimin për kandidatë”, ka thënë Haradinaj.
“Nuk është mirë me hy në seancë me të vjetrën”, shtoi Haradinaj./Reporteri.net
Kreu i Nismës, Fatmir Limaj tha se Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e së enjtes e tha qartë se konstituimi i Kuvendit është në tërësi vendim i forcave politike dhe deputetëve.
Limaj tha se me këtë aktgjykim, Gjykata ruajti rolin dhe kompetencat e veta.
“Gjykata ka ruajtur me rolin e vet, duke tentuar që në hapësirën dhe kompetencat e veta të dërgojë porosi por jo me u shëndrru në një parti politike. Gjykata na tha unë parti politike nuk bëhem dhe në fund na shpjegoi procedurat që konstituimi i Kuvendit është tërësisht vendim politik i forcave politike dhe deputetëve dhe nuk mundemi ne si Gjykatë me ardhë me ju bashku dhe me arritë marrëveshje”, tha Limaj para nisjes së seancës konstituive. /Reporteri.net/
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kanë kërkuar takim konsultues me Kryesuesin e seancës, Avni Deharin, para seancës së sotme, në mënyrë që të diskutohet mundësia për kthim në votimin e hapur dhe qe të ketë dakordim për kandidaten për Kryetare Kuvendi, shkruan Reporteri.net.
Haradinaj luti partitë tjera që ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
“Ajo që besojmë tani se janë pjekë kushtet me u kthy praktika e votimit të votës së hapur. Janë pjek kushtet edhe për konsultua për t’u dakorduar për kandidaten. Në këtë seancë për mos me leju me shku me të vjetrën, kemi ra dakord me znj.Time Kadriaj, kemi ra dakord për një konsultë me Kryesuesin e seancës që ta diskutojmë mundësinë e kthimit në votën e hapur dhe dakordimin për kandidatë”, ka thënë Haradinaj.
“Nuk është mirë me hy në seancë me të vjetrën”, shtoi Haradinaj./Reporteri.net
E propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se nëse nuk i merr 61 vota në votimin e fshehtë, ku do të votonin të gjithë deputetët, do të tërhiqet nga kandidatura për Kryetare Kuvendi, shkruan Reporteri.net.
Haxhiu u bëri thirrje partive të tjera të reflektojnë e të marrin pjesë në votim, qoftë duke votuar për ose kundër.
Ajo tha se Kushtetesja me Aktgjykimin e djeshëm nuk e ndalon votimin e fshehtë.
“Prandaj me rastin e votimit të fshehtë kur votojnë të gjithë deputetët, nëse unë si kandidate nuk i marr së paku 61 vota tërhiqem nga kandidatura për kryetare Kuvendit”, ka deklaruar Haxhiu./Reporteri.net
Nënkryetari dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, në konferencën për media, ka reaguar edhe lidhur me deklaratën e ish-Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, Kushtetesja me Aktgjykimin e djeshëm konfirmoi se votimi i fshehtë, i propozuar nga Kryesuesi Avni Dehari, është jokushtetues.
Konjufca ka thënë se ata që thonë se Dehari e shkeli Kushtetutën me këtë propozim, janë lexues joprofesional dhe të dobët të këtij Aktgjykimi, shkruan Reporteri.net.
“Leximi dhe interpretimi i vetëvendosjes është që përmes propozimit të votimit të fshehtë për kryetar Kuvendi nga ana e kryesuesit Avni Dehari, Gjykata nuk ka gjetur asnjë shkelje sa i përket votimit të fshehtë. Të gjithë ata që thonë se Avni Dehari e shkeli Kushtetutën përmes votimit të fshehtë, unë mendoj që ata janë lexues të dobët të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ata ose nuk e kanë lexu vetë ose e interpretojnë gabimisht ose e interpretojnë me interpretime të tjerëve dhe kjo nuk është mirë”, ka deklaruar Konjufca.
“Ata që thonë që me votim të fshehur nuk kemi të drejtë, mendoj se janë lexues joprofesional”, shtoi Konjufca.
Hasani tha dje se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë të qartë, ka konfirmuar se procedura për konstituimin e Kuvendit është e përcaktuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat parlamentare.
“…që nënkupton se ajo që është bërë nga z. [kryesuesi i seancës konstituive, Avni] Dehari është tërësisht jokushtetuese. Do të thotë se nuk mund të ketë devijim nga marrëveshja e arritur më 8 prill [v.j. takimi i partive politike për përgatitjen e seancës konstituive]”, tha Hasani./Reporteri.net
Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca ka thënë se aktgjykimi i Kushtetuese i ka thënë të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje në shumë pika sa i përket procesit të konstituimit të Kuvendit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Konjufca ka thënë se si pikë e parë, Kushtetuesja ka konstatuar se duhet marrëveshje politike për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Ai po ashtu tha se sipas leximit të VV-së, Gjykata nuk ka konstatuar se votimi i fshehtë për kryetarin është antikushtetuese.
Ai tha se votimi i fshehtë është në të njëjtën kategori për nga legjitimiteti kushtetues, sa edhe votimi i hapur, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai tha se në këtë aktgjykim nuk u dha asnjë instruksion që thotë që duhet të tërhiqen nga votimi i fshehtë.
“Duhet ta kemi të qartë që t’ia japim kontekstin e duhur kësaj çka dua të them, e të nisem prej të gjitha veprimeve që t’ua bëjmë edhe një rikapitullim të gjitha veprimeve që i ka ndërmarrë VV-ja ashtu që Kuvendit të konsituohet sipas procedurave kushtetuese. VV-ja ia ka përgjigje pozitivisht faktit që si fituese e zgjedhjeve ka të drejtën ta propozojë kryekuvendarin. Kjo nuk hasi në mirëkuptim të subjekteve tjera opozitare, dhe pikërisht qasja e tyre ishte bllokuese sepse zgjodhën të mos e votonin Haxhiun. Duke e pasë parasysh që nuk i kishim automatikisht 61 vota, ne ndërmorëm një seri veprimesh tjera, si të nevojshme dhe veprime që mund ti ndihmonin procesit. Njëra prej tyre është ftesa dy herë me radhë për kryetarët e subjekteve politike për takim që të krijohet një marrëveshje politike për të votuar kryetarin dhe nënkryetarët. VV-ja gjithmonë ka theksuar që nëse partitë opozitare bllokojnë kryetarin e Kuvendit në këtë mënyrë, kemi thënë që i njëjti reciprocitet mund të aplikohet edhe për nënkryetarët dhe kështu nuk shkojmë askund, procesi bllokohet. Këtu na dha të drejtë aktgjykimi i Kushtetueses. Aty një prej konstatimeve më të rëndësishme është se nëse hyhet në bllokadë për me kërku marrëveshje politike secili subjekt me secilin, atëherë kjo nuk vlen vetëm për kryetarin e Kuvendit, një gjë që gjithmonë e kemi theksuar dhe partitë opozitare e kanë mohuar gjithmonë. Kjo u sqarua. Propozimi ynë ishte ti vendosim në pako të gjithë dhe ti votojmë duke mos iu përzier secilit në emrin që e propozon.
Nga ana e Gjykatës, sipas leximit tonë është fakti që obligimi për të përfunduar konsituimin e Kuvendit, është obligim i të gjithë deputetëve.
Unë pashë disa prej opinioneve, duke përfshirë edhe ata që e mbajnë veten si profesionistë. Leximi ynë është që përmes vendimit për votim të fshehtë, Gjykata nuk ka gjetur asnjë shkelje. Të gjithë ata që thonë se Dehari e shkeli Kushtetutën përmes votimit të fshehtë, janë lexues të dobët të Kushtetutës. Kushtetuesja ka thënë se nuk ka kurrfarë klauzole eksplicite që e obligon Kuvendin me shku deri në pafundësi me votimin e hapur. Edhe votimi i fshehtë është në të njëjtën kategori për nga legjitimiteti kushtetues, sa edhe votimi i hapur”, tha Konjufca në një konferencë për media. /Reporteri/net/
Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur konferencë për media, sot në ora 10:00, një orë para seancës konstituive të Kuvendit, ku për herë të 38-të pritet të tentohet konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Konferenca vjen pasi Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sipas partisë së parë, Vetëvendosjes, obligimi për të përfunduar konstituimin e Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. Po ashtu Vetëvendosje vlerëson se zgjedhja e kryetarit dhe ajo e nënkryetarëve janë në nivel të barabartë.
Sipas interpretimit të Vetëvendosjes votimi i fshehtë nuk paraqet shkelje të Kushtetutës.
Në konferencën sotme të VV-së pritet të flasin Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu. /Reporteri.net/
Deputetët do të mblidhen sërish sot në një përpjekje të re, të 38-ën me radhë, për ta konstituar Kuvendin. Procesi ka ngecur tek zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sipas partisë së parë, Vetëvendosjes, obligimi për të pëfunduar konstituimin e Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.
Po ashtu Vetëvendosje vlerëson se zgjedhja e kryetarit dhe ajo e nënkryetarëve janë në nivel të barabartë.
Sipas interpretimit të Vetëvendosjes votimi i fshehtë nuk paraqet shkelje të Kushtetutës.
Aktgjykimin e Kushtetueses e ka mirëpritur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha “Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin”.
Krasniqi ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që obligon deputetët që seanca konstituive të përfundojë brenda 30 ditësh, “i jep fund lojës së Lëvizjes Vetëvendosje për vonesa”.
“E kemi përkrahur me ekspertizë dhe jemi bashkuar me iniciativën e AAK-së për sqarim kushtetues, sepse besojmë fuqishëm se demokracia mbrohet përmes ligjshmërisë dhe transparencës. Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve.”, tha Krasniqi.
Në një reagim, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive që të respektojë dispozitat kushtetuese dhe rregulloren e punës së Kuvendit, duke iu rikthyer skenarit të dakorduar për zhvillimin e seancës dhe për të proceduar me votim të hapur.
“Po ashtu, siç e përcakton neni 187 i aktgjykimit, kryesuesi i seancës konstituive duhet të respektojë dispozitat kushtetuese, Kapitullin IV të Rregullores së Punës së Kuvendit dhe praktikat e deritashme parlamentare, si dhe t’i kthehet skenarit të dakorduar të seancës konstituive për të proceduar me votim të hapur”, vijon reagimi i tyre.
E Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, iu ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi konstituimin e Kuvendit.
Derisa përmendi vendimin që thotë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve, Haradinaj ka thënë se Kushtetuesja ka krijuar bazë ligjore “për të dalë nga ngërçi i krijuar”.
“Në një situatë të një bllokade totale të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe konstituimin e Kuvendit, një rast i padëgjuar ky për botën demokratike, kemi kërkuar rrugëdalje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Nuk e kemi bërë për interesa partiake, por për interes të vendit dhe të zbatimit të vullnetit të shprehur me votë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2025. Këtë kërkesë tonën nuk e kemi shndërruar në çështje e as në kauzë politike”, ka thënë Haradinaj.
Ai shtoi se vendimi i Kushtetueses është lehtësues.
Seanca e sotme pritet të nisë në ora 11:00.