×
  • Lajme
  • Lajme / LAJMI I FUNDIT

    Vdekja e 27-vjeçarit, arrestohen pesë policët për “vrasje nga pakujdesia”

    Reporteri
    07 Korrik 2025 | 20:07

    Pesë policë janë ndaluar lidhur me rastin e 27-vjeçarit në Lipjan, që vdiq në rrethana të dyshimta pas arrestimit nga Policia.

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se të njëjtit janë ndaluar nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”.

    Inspektorati Policor i Kosovës rekomandoi më herët suspendimin e tyre.

    IPK ka thënë se suspendimi i tyre është masë administrative e përkohshme dhe në këtë fazë nuk paragjykon përgjegjësinë e tyre ligjore apo profesionale.

    “IPK në koordinim me Prokurorinë e Shtetit është duke bërë një hetim të pavarur, objektiv dhe të gjithanshëm për të përcaktuar nëse gjatë ndërhyrjes/reagimit policor janë respektuar procedurat ligjore dhe standardet profesionale të veprimit policor.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, ka konfirmuar vdekjen e të riut, teksa ka dhënë detaje rreth rastit.

    “Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë.”, ka thënë Borovci.

    “Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Aktualisht policia po vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes” ka thënë Borovci./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!