Policia e Kosovës nuk e ka përfshirë fare në raportin 24 orësh vdekjen në rrethana të dyshimta të 27-vjeçarit në Lipjan, pas arrestimit, shkruan Reporteri.net.
Lidhur me vdekjen e tij, mbrëmë janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje pesë policë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, mirëpo tek raporti i Policisë që u dergohet mediave nuk figuron fare i evidentuar si rast.
Për rastin në fjalë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar angazhim urgjent nga IPK dhe bashkëpunim të plotë të Policisë gjatë hetimeve.
Sveçla ka thënë se pret që sa më shpejt të zbardhet e vërteta dhe familjarët e opinioni publik të njoftohet me të gjitha të gjeturat për rastin.
“Jam thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë para mëngjesit të djeshëm në Lipjan. Si Ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal.
Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë”, ka shkruar ai në Facebook.
Në reagimin e tij pas më shumë se 36 orë, Sveçla thotë se askush s’është mbi ligjin, dhe fajtori do të përballet me drejtësinë duke marrë dënimin e merituar.
Ai gjithashtu shton se Policia vazhdon të jetë institucion i besuar, dhe diçka e tillë duhet të ruhet, ndaj nuk do të kursehet askush.
Lidhur me rastin ka nisur hetime edhe Avokati i Popullit.
Presidentja Vjosa Osmani e as kryeministri në detyrë ende s’kanë reaguar lidhur me rastin./Reporteri.net