Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me rastin e vdekjes së A.Z. (27 vjeç) nga Lipjani, i cili vdiq në rrethana të dyshimta gjatë ndërhyrjes së Policisë së Kosovës.
Në reagimin e saj, presidentja Osmani thekson se ky rast kërkon transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Ngjarja e rëndë dhe tronditëse e vdekjes së një të riu 27-vjeçar, rreth së cilës ekzistojnë dyshime serioze se ka ndodhur gjatë ndërhyrjes së policisë, kërkon urgjentisht transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis”, thuhet në reagimin e Osmanit.
Ajo kërkon që rrethanat e rastit të hetohen në mënyrë të pavarur dhe profesionale.
“Secili zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të vihet përpara drejtësisë pa asnjë vonesë. Askush nuk është mbi ligjin”, përfundon reagimi i presidentes.
Ndryshe, prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë policëve që u arrestuan mbrëmë nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”, lidhur me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan.
Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit e ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve”, ka deklaruar Shala.
Policia nuk e ka përfshirë fare në raportin 24 orësh këtë rast.
Lidhur me vdekjen e të riut, mbrëmë janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje pesë policë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, mirëpo tek raporti i Policisë që u dergohet mediave nuk figuron fare i evidentuar si rast.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar angazhim urgjent nga IPK dhe bashkëpunim të plotë të Policisë gjatë hetimeve.
Hetime për rastin ka nisur edhe Avokati i Popullit.