Kryeministri në detyrë, Albin Kurti  i ka shprehur ngushëllime familjes së Agon Zejnullahut që vdiq në duart e Policisë së Kosovës të hënën në Lipjan.  Ai ka kërkuar hetim profesional nga institucionet.

Ai ka kërkuar hetim të shpejtë e të thellë në mënyrë që të zbardhet e vërteta e plotë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve. Shumëçka prej asaj që ka ndodhur në mesnatën e 7 korrikut tashmë është publike dhe falë incizimeve të dëshmitarëve por për të kuptuar gjithçka çfarë ka ndodhur duhet hetim profesional nga institucionet. Për këtë bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës, IPK-së, IML-së dhe Prokurorisë është thelbësor. Pesë zyrtarë policor tanimë janë në paraburgim. Unë kërkoj dhe pres hetim të thellë e sa më të shpejtë, që zbardhë të vërtetën e plotë dhe i bënë të njohura të gjitha rrethanat ashtu që të vendoset drejtësia dhe të arrihet llogaridhënia.”, u shpreh ai.

Reklamë

Kurti tha se në institucionet e Kosovë nuk ka vend për ata që shkelin ligjin gjatë detyrës zyrtare.

“Dua ta bëjë të qartë se nuk do të ketë strehë në institucione apo nga institucionet  për këdo që mund të ketë kaluar kompetencat apo të ketë shkelur ligjin gjatë detyrës zyrtare. Shërbimi në uniformë është fisnikëri, autoriteti i veshur me uniform është përgjegjësi. Diskutimet publike që po bëhen dhe gjykimet publike që po bëhen janë të vështira për familjen  Zejnullahu. Në të njëjtën kohë tendenca që të nis një antufushatë ndaj policisë është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje. Thirrjet për drejtësi dhe përgjegjësi janë të drejta.”, tha Kurti.