Oda e Mjekëve të Kosovës ka nisur hetime ndaj mjekes në rastin e Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit nga Lipjani që vdiq gjatë arrestimit nga Policia e Kosovës.
Oda e Mjekëve të Kosovës përmes organeve të saj ndjekëse, ka nisur hetimet për dyshimet për mos dhënie të ndihmës së parë nga mjekja e ekipës së Urgjencës së komunës së Lipjanit në rastin e Agon Zejnullahut.
Gazeta Shneta raporton se tashmë është dhënë autorizimi për Prokurorin e OMK-së që të fillojë hetimet. Hetimet do të zhvillohen për dy dyshime, për mos dhënie të ndihmës së parë si dhe për deklarime të paautorizuara.
Lajmin e ka konfirmuar edhe kryetari i OMK-së Dr. Pleurat Sejdiu. Ai ka thënë se rasti është analizuar sot nga organet e Odës dhe është vendosur që të iniciohen të gjitha masat sipas Ligjit dhe kompetencave që i ka kjo organizatë.
Agon Zejnullahut vdiq në orët e para të datës 7 korrik, pas arrestimit nga Policia e Kosovës. Policët që e arrestuan po dyshohen për vrasje nga pakujdesia.
Në video shihet se si policët i hidhen sipër, e madje njëri nga ta ia vendos gjurin mbi qafë. Në këtë moment Zejnullahu i ndalon lëvizjet.
Policët pasi ia vendosin prangat e ngritin të ndjerin ulur në gjunjë, por ai nuk jep shenja jete. I ndjeri lihet në këtë gjendje për disa minuta derisa vjen autoambulanca nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në komunën e Lipjanit.
Mjekja përgjegjëse nuk e kontrollon për shenja vitale dhe as nuk i jep ndihmën e parë. Ajo në një deklarim për media ka thënë se policët i kanë kërkuar një barelë për ta vendosur dhe për ta futur në autoambulancë. I ndjeri vendoset në barelë me duar të lidhura.
Sipas mjekes, vdekjen e të ndjerit e ka konstatuar pasi e kanë hipur në autoambulancë. Sipas saj është tentuar t’i jepet ndihma e parë por nuk ka pasur efekt.
Për këtë rast tanimë janë arrestuar pesë policë. Gjykata Themelore sot ka vendosur masën e paraburgimit për të gjithë: rreshterin Ibrahim Nela dhe zyrtarët policorë Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri.