Policia e Kosovës po përballet me një numër në rritje ankesash për sjellje të pahijshme. Qindra ankesa janë dorëzuar në Inspektoratin Policor vetëm në muajt e parë të këtij viti. Rasti i vdekjes së një 27-vjeçari në Lipjan, gjatë një ndërhyrjeje më 7 korrik, ka ngritur shqetësime serioze për përdorim të tepruar të forcës nga ana e policisë.
Vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti, në Inspektoratin Policor u dorëzuan qindra ankesa për shkelje disiplinore. Vitin e kaluar, numri i tyre arriti në 1 mijë e 338.
Shumë prej këtyre rasteve kanë të bëjnë me vepra penale si kanosje, lëndim trupor apo sulm fizik.
Policët e përfshirë zakonisht suspendohen, ndonjëherë arrestohen ose transferohen në pozita tjera brenda institucionit. Por, duket se këto masa nuk kanë ndikuar mjaftueshëm, pasi numri I ankesave është rritur vazhdimisht që nga viti 2020, raporton REL.
Më së shumti ankesa janë drejtuar ndaj zyrtarëve të Drejtorisë Rajonale të Prishtinës.
Rasti më i fundit që ka rikthyer vëmendjen te sjellja e policisë, është vdekja e një 27-vjeçari në Lipjan, më 7 korrik. Pesë policë janë arrestuar për vrasje nga pakujdesia, teksa sot u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.