Kur temperaturat rriten, trupi ynë ka nevojë për hidratim, freski dhe vlera ushqyese që luftojnë lodhjen, dehidratimin dhe rëndesën. Disa ushqime nuk janë thjesht të shijshme janë “klima të brendshme” për organizmin. Ja çfarë duhet të konsumosh këtë verë:
Kastraveci – Kampioni i hidratimit
Me mbi 95% ujë, është një ndër perimet më freskuese. Ndihmon në uljen e temperaturës së trupit dhe detoksifikon sistemin tretës. Përdore në sallata, smoothie apo thjesht si snack me kripë himalaje.
Shalqiri – Fruta mbretëreshë e stinës
Jo vetëm që të freskon, por është burim i shkëlqyer i likopenit, i cili mbron lëkurën nga dëmtimet e diellit. Për një ide të shijshme: ngrije copa shalqiri dhe përdori si kube akulli për ujë me gaz.
Domatja – Jo vetëm për sallatë
E pasur me antioksidantë, përfshirë vitaminën C dhe A, domatja ndihmon lëkurën të rigjenerohet dhe lufton inflamacionin që vjen nga ekspozimi në diell. Kombinoje me vaj ulliri dhe pak kripë për një antipastë perfekte.
Mango – Sheqer natyral dhe energji
Një burim i mirë i vitaminës C dhe beta-karotenit. Mango ndihmon tretjen dhe rigjenerimin e qelizave të lëkurës, përveçse është dhe ëmbëlsirë ideale. Shijoje në smoothie me kos të ftohtë!
Spinaqi – Fleta e gjelbër që freskon
Përplot me hekur, kalium dhe magnez, që shpesh humbasin nga djersitja në ditët e nxehta. Mund të konsumohet edhe i gjallë në smoothie ose sallata me limon e vaj ulliri.
Frutat e pyllit – Antioksidantë në një grusht
Manaferra, boronica dhe mjedrat janë ideale për mëngjeset verore. Ndihmojnë qarkullimin e gjakut, ruajnë shëndetin e zemrës dhe freskojnë si pak fruta të tjera.
Uji i kokosit – Eliksiri natyral
Jo frut në vetvete, por pije që nuk duhet të mungojë. Hidraton trupin më mirë se shumë pije izotonike dhe përmban elektrolite natyrale.
Madje një këshillë nga ne Living për ju: Krijo një “kuti vere” në frigorifer me feta shalqiri, kastravec, copa mangoje dhe një shishe ujë kokosi. Do ndihesh në tropik, edhe pa dalë nga shtëpia!