Policia e Kosovës sot ka arrestuar katër persona të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Gjakovë.
Në këtë aksion Policia e Kosovës, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prizren ka arrestuar drejtorin e Urbanizmit, Arben Bakallin, Afërdita Lamën, ish-drejtoreshë e Kadastrës në Gjakovë dhe Elida Bejtullahu, ish-ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Gjakovë, dhe Arianit Kupa, zyrtar.
Policia ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime hetimore sipas autorizimit të prokurorit të shtetit, mbi dyshimet se zyrtarë nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër në Gjakovë, kanë mundësuar kundërligjshëm bartjen e pronave në pronësi të personave të tretë.
“Pas një mori veprimesh hetimore, të kryera në koordinim me prokurorin e shtetit, janë siguruar dëshmi që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se katër të dyshuar (dy meshkuj dhe dy femra) nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Gjakovës, dyshohet se me veprimet e tyre në vitet 2018 dhe 2019, kanë lëshuar kundërligjshëm pëlqimet dhe vendimet për parcelizimin dhe bartjen e pronave tek personat e tretë, pa dijeninë dhe autorizimin e pronarëve legjitimë”, thuhet në njoftim.
Krimet Ekonomike kanë njoftuar se personat e dyshuar janë intervistuar në prezencën e mbrojtësve të tyre, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe me aktvendim të prokurorit, të katër të dyshuarit janë ndaluar deri në 48 orë”, thuhet në njoftim.
Arben Bakalli dhe Elida Bejtullahu edhe më parë kishin pasur telashe me drejtësinë.
Ndaj Bakallit ishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ai cilësinë e drejtorit të Urbanizmit është dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 1 vit burg dhe 3 mijë euro gjobë. Por Gjykata e Apelit kishte vendosur që lënda të kthehet në ri-gjykim në Gjykatën Themelore.
Edhe Bejtullahu ishte akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.