Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka reaguar pas arrestimit të drejtorit të Urbanizimit, Arben Bakalli dhe tre zyrtarëve të tjerë të kësaj komune, nën dyshimin për dallavere me prona.
Gjini është shprehur i befasuar me arrestimin e vartësve të tij dhe e ka quajtur të panevojshëm, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Jam sinqerisht i befasuar me arrestimin e ish-kolegëve dhe kolegëve të mi. E shoh këtë arrestim si plotësisht të panevojshëm derisa kjo ngjarje ka shkaktuar shqetësim të kuptueshëm – si brenda institucionit, ashtu edhe në opinionin publik.”, ka shkruar ai.
Gjini u shpreh i bindur se vartësit e tij janë të ndershëm e profesional.
“Jam i bindur në ndershmërinë dhe profesionalizmin e kolegëve dhe ish-kolegëve të mi.”, ka shkruar ai.
Ai ka kërkuar nga Prokuroria që domosdoshmërisht të sqarojë qartë dhe publikisht për çfarë konkretisht po akuzohen ata – jo me terma të përgjithshëm si “shpërdorim detyre”, por me fakte konkrete.
“Qytetarët kanë të drejtë të informohen drejt, sidomos në një periudhë kaq të ndjeshme si kjo para zgjedhjeve. Gjithmonë kam besuar dhe besoj në drejtësi. Por është detyrë edhe e organeve të drejtësisë që ta mbrojnë sistemin nga çfarëdo ndërhyrje që e cenon besimin e qytetarëve në vet atë sistem. Të gjithë duhet t’i nënshtrohen sundimit të ligjit, e ligji duhet të jetë i drejtë.”, ka shkruar ai.
Të arrestuar në këtë aksion janë arrestuar Arben Bakalli, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Gjakovës; Afërdita Lama, ish-drejtoreshë e Kadastrës në Gjakovë; Elida Bejtullahu, ish-ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Gjakovë, e cila edhe më parë ishte akuzuar për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Arianit Kupa, zyrtar.
Arben Bakalli dhe Elida Bejtullahu edhe më parë kishin pasur telashe me ligjin.
Ndaj Bakallit ishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Bakalli në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit është dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 1 vit burg dhe 3 mijë euro gjobë. Por Gjykata e Apelit kishte vendosur që lënda të kthehet në ri-gjykim në Gjykatën Themelore.
Edhe Bejtullahu ishte akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. / Reporteri.net/