×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Kurti reagon pas gjetjes së trupit të mërgimtarit në Ujman, ngushëllon familjen

    Reporteri
    29 Korrik 2025 | 20:00

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas gjetjes së trupit të mërgimtarit që u mbyt në këtë liqen, ku në operacionin e kërkimit u përfshi edhe FSK’ja.

    Kurti ka falenderuar Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, Klubin e Zhytjes “Trepça” dhe KFOR-in “për punën profesionale, përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pareshtur deri në gjetjen e trupit të pajetë të Rrahim Latifit në liqenin e Ujmanit”, shkruan Reporteri.net.

    Ai i ka shprehur ngushëllime familjes së mërgimtarit.

    “Familjes Latifi i shprehim ngushëllimet më të përzemërta dhe ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira për të ofruar gjithë mbështetjen tonë e për të ndarë me ta dhimbjen e madhe”, thuhet në postimin e Kurtit.

    Reagimi i Kurtit vjen disa minuta pas atij të Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë. Ambasada ka reaguar e shqetësuar, për siç ka thënë, përpjekjet për të politizuar dërgimin e ekipit të kërkimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit, për gjetjen e trupit të mërgimtarit që u mbytë në këtë liqen, duke theksuar se kjo u aprovua nga Komandanti i KFOR’it ekskluzivisht për qëllime humanitare.

    Sipas Ambasadës, deklaratat që e paraqitën këtë mision si “operacioni i parë i FSK’së në veriun e Kosovës”, e keqinterpretojnë qëllimin dhe frymën e këtij angazhimi, shkruan Reporteri.net.

    “Po aq shqetësuese janë edhe akuzat për manipulim me fotografi – konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për të promovuar narrativë të rrejshme. Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe të heqin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit”, thuhet në reagim.

    Ambasada ka thënë se vdekja e 33-vjeçarit duhet të jetë një moment zie kolektive, dhe jo një rast për përfitime politike./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!