×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Tërheqja e kërkesës nga Presidentja Osmani, Kushtetuesja: Laban i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore

    Reporteri
    06 Gusht 2025 | 15:39

    Gjykata Kushtetuese ka dalë me reagim një ditë pasi Presidentja Vjosa Osmani e tërheqi kërkesën e saj rreth ngërçit, me arsyetimin se gjyqtar raportues për lëndën ishte caktuar Radomir Laban.

    Në reagimin e Kushtetueses thuhet se është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara. Kushtetuesja thotë se i trajton të gjitha kërkesat me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutë, shkruan Reporteri.net.

    “Bazuar në nenin 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese trajton të gjitha çështjet e dorëzuara në mënyrë ligjore nga palët e autorizuara. Ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese në Gjykatën Kushtetuese bëhet në bazë të rregullave të qarta procedurale, të cilat kjo Gjykatë i respekton me përpikëri. Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës”.

    Lidhur me gjyqtarin Laban, Kushtetuesja ka thënë se i njëjti që nga data 9 gusht 2018 ushtron funksionin e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës.

    “Në anën tjetër, procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë.

    Gjykata Kushtetuese si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës, në përputhje me përgjegjësitë dhe mandatin e saj, i trajton të gjitha kërkesat e dorëzuara nga palët e autorizuara me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi.

    Osmani deklaroi dje se Laban ka një veprimtari të rrezikshme në vitet 2018, 2021 dhe 2024 dhe se këto informacione zyrtare janë dorëzuar nga institucionet e sigurisë.

    Ajo tha se nuk mund të tregojë aktualisht detaje për rrezikun që përbën për sigurinë kombëtare të Kosovës gjyqtari Llaban, duke thënë se ky është vlerësim i klasifikuar i institucioneve të sigurisë.

    “Për momentin nuk mund t’i ndajmë. Ndoshta më vonë. Janë dokumente të klasifikuara që nuk mund të ndahen me publikun tani”, tha ajo.

    Por, kush është Radomir Laban?

    Radomir Llaban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

    Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.

    Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoit ta dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.

    Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

    Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Llabanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.

    Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

    Mandati i gjyqtarit Llaban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.

    Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës kishte refuzuar ta emëronte Llabanin për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.

    Gjatë konferencës, Presidentja Osmani tha se shkarimi i tij bëhet vetëm me propozimin e 2/3 të votave të gjyqtarëve, dhe pa propozim nga vetë Gjykata diçka e tillë s’bëhet.

    “Ky gjyqtar s’është emëruar nga ana ime por në vitin 2018. Sipas Kushtetutes shkarkimi një gjyqtari të Gjykatës Kushteutese bëhet vetëm nëse votohet diçka e tillë nga 2/3 e gjyqtarëve, pastaj shkarkimi i propozohet Presidentes nga vetë Gjykata. Pa një propozim të tillë, nuk mund të merret asnjë hap nga ana e Predentes. Tërheqja e kësaj kërkese është veprim i domosdoshëm në funksion të mbrojtjes së rendit tonë kushtetutes. Është absurde të pritet që rendi jonë kushtetutes të mbrohet nga persona që rrezikojnë rendin kushtetutes të Republikës sonë ”, deklaroi Osmani./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!