Presidenti i SHBA-së Donald Trump, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe disa prej liderëve kryesorë evropianë po zhvillojnë aktualisht një takim në Shtëpinë e Bardhë, me synimin për të diskutuar një përfundim të mundshëm të luftës në Ukrainë.
Një nga temat kyçe në rendin e ditës është dhënia e garancive të sigurisë për Ukrainën, raporton CNN, përcjell Reporteri.net.
Liderët evropianë pritet gjithashtu ta nxisin Trumpin që të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Presidentit rus Vladimir Putin, për të shmangur konfliktet e ardhshme.
Por, çka deklaruan ata para takimit?
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se liderët do të diskutojnë se “kush do të bëjë çfarë” si pjesë e garancive të sigurisë për Ukrainën, dhe sinjalizoi se një marrëveshje mund të arrihet sot.
Ai shtoi se edhe “shkëmbime të mundshme territoriale” janë në tryezë si pjesë e diskutimeve për përfundimin e luftës.
Sipas Trumpit, ai planifikon të telefonojë Putinin më vonë gjatë ditës për të organizuar një takim trepalësh me Putinin dhe Zelenskyn.
Presidenti i Ukrainës, Volodymur Zelensky tha se kishte pasur një “bisedë shumë të mirë” me Trumpin më herët gjatë ditës. Ata diskutuan për garancitë e sigurisë dhe çështje humanitare.
Ai shtoi se do të ishte i gatshëm të merrte pjesë në një takim trepalësh me Trumpin dhe Putinin.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ritheksoi qëndrimin se nëse do të diskutohet për garanci sigurie, atëherë Evropa duhet të jetë e përfaqësuar.
“Kur flasim për garanci sigurie, flasim për të gjithë sigurinë e kontinentit evropian.”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e quajti ofertën e Trumpit për të dhënë garanci sigurie për Ukrainën një “përparim të madh” për sigurimin e paqes.
Ai falënderoi gjithashtu Trumpin për “thyerjen e bllokadës” dhe për përfshirjen e Putinit në procesin e bisedimeve.
Kancelari i Gjermanisë, Friderich Merz, tha se takimi mes Trumpit dhe Putinit në Alaskë javën e kaluar hapi rrugën për negociata më serioze.
Ai theksoi se liderët evropianë kërkojnë armëpushim para çdo takimi tjetër, edhe pse Trump ka vënë në pikëpyetje nëse një armëpushim është i domosdoshëm në këtë fazë.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha se aleatët evropianë të Ukrainës — të cilët i quajti “Koalicioni i Vullnetit” — janë “të gatshëm të marrin përgjegjësinë” për të siguruar sigurinë e Ukrainës.
Alexander Stubb, Presidenti finlandez vlerësoi përparimin që Trump ka bërë në bisedimet për zgjidhjen e luftës, duke theksuar rëndësinë simbolike të mbledhjes së liderëve për të diskutuar garancitë e sigurisë për Ukrainën./Reporteri.net