Me 73 vota për, 30 kundër dhe tri abstenime, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha është zgjedhur Kryetar i Kuvendit të Kosovës, pas shumë muajsh ngërçi institucional. Pas fjalimit që mbajti si Kryeparlamentar, Basha çoi Kuvendin në pauzë një orëshe, për të kaluar në pikën e katërt të rendit të ditës “Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ndonëse duhej të ktheheshin nga pauza për të nisur seancën në ora 12:30, diçka e tillë s’ndodhi.
Tashmë kanë kaluar minutat e para të orës së dytë, dhe vetëm disa deputetë të PDK-së dhe LDK-së ndodhen aktualisht në Kuvend. Asnjë nga VV-ja s’ka ardhur ende.
Si shkon procedura për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit?
Kryetari i Kuvendit kërkon nga tri subjektet më të mëdha parlamentare (LVV, PDK, LDK) të propozojnë nga një kandidat/e për nënkryetar/e, ndërsa kandidati i LVV-së duhet të jetë i gjinisë tjetër nga Kryetari.
Nënkryetarët e tre partive votohen në pako.
Vazhdohet me votimin e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë.
Deputetët e komunitetit serb propozojnë një kandidat për nënkryetar, ashtu si edhe deputetët e komuniteteve tjera joshumicë, të cilët më pas zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Propozimet bëhen me shkrim, ndërsa nëse nuk ka propozime, kandidatët përcaktohen me short në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse, nën administrimin e Kryetarit të Kuvendit.
Nënkryetarët e dy komuniteteve votohen në pako.
/Reporteri.net/