×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Cirku

    Votimi i nënkryetarit serb = bllokadë e re, dështon konstituimi i Kuvendit, provohet sërish të enjten

    Reporteri
    26 Gusht 2025 | 16:12

    Përshkak të bllokadës në zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Kryetari i ri i, Dimal Basha ndërpreu seancën për ta vazhduar atë të enjten në ora 11:00, shkruan Reporteri.net.

    “Marrë parasysh situatën që gjindemi, edhe kërkesat nga subjektet tjera, në frymën e bashkëpunimit, unë propozoj që ta ndërpres seancën këtu, dhe shihemi ditën e enjte në ora 11:00”, tha Basha para deputetëve.

    Lista Serbe fillimisht propozoi Sllavko Simiqin tri herë radhazi për nënkryetar të Kuvendit, por i njëjti në asnjë nga votimet s’mori votat e mjaftueshme.

    Në votimet e tij, ai kishte veç 10 vota për. LDK nuk mori pjesë në asnjë nga votimet.

    Bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ku i njëjti kandidat nuk lejohet të propozohet më shumë se tri herë, Lista Serbe nuk pranoi ta ndryshonte emrin, pavarësisht kërkesës së Kryeparlamentarit.

    Në këtë rast, hyri në funksion pika e 7 e nenit 12 të Rregullores së Punës së Kuvendit, me procedurë të shortit.

    Nga shorti, kandidatja e parë ishte deputetja, Verica Çeraniq e cila poashtu s’arriti të marrë votat e mjaftueshme për nënkryetare të Kuvendit. Ajo u hodh në votim po nga shorti dy herë, pasi në herën e tretë nuk refuzoi dhe nuk u hodh në votim fare. Kandidati i dytë përmes shortit ishte, Stefan Kovaçeviq. As ai s’mori vota për tu zgjedhur nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb. Asnjë votë për, 48 kundër dhe 19 abstenime.

    Kandidatja e radhës, Liljana Stafaneviq refuzoi të ishte kandidate për nënkryetare, andaj nuk u hodh në votim fare.

    Nenad Rashiq, ishte kandidatura tjetër përmes shortit, e që as ai s’mori votat e mjaftueshme. Derisa në sallë ishin 95 deputetë. VV-ja votoi për Nenad Rashiq nënkryetar të Kuvendit, ndërsa PDK-ja abstenoi. Por, pavarësisht kësaj, Rashiq s’u bë nënkryetar, as me 55 votat e VV-së. Një kundër dhe 17 abstenime.

    Në të gjitha këto votime që u bën me short, Lista Serbe nuk mori pjesë fare në votim.

    Në vazhdimin e seancës konsitutive sot, propozimi i VV-së për Kryeparlamentar, Dimal Basha u zgjodh në këtë post me 73 vota për, 30 kundër dhe 8 abstenime.

    Nënkryetarët e zgjedhur në pako, Albulena Haxhiu, VV – Vlora Çitaku, PDK dhe Kujtim Shala, LDK.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!