Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas artikullit të Dimal Bashës që doli në pah dje, e për të cilin PDK i dha votat që të zgjidhet Kryeparlamentar, shkruan Reporteri.net.
Krasniqi ka thënë se vota e PDK’së nuk ka qenë për individin, por për të mbajtur zotimin e dhënë para qytetarëve, me qëllim të dhënies fund bllokadës institucionale dhe “për ta zhveshur Vetëvendosjen dhe për ta vënë para reflektorit publik të së vërtetës”.
Krasniqi ka thënë se nse është dikush që e ka pasur “mënyrë jetese demonizimin e UÇK-së dhe të udhëheqësve të saj”, ai është Albin Kurti dhe se gati secili që i është bashkuar atij, ka pasur ose ka përvetësuar të njëjtin mentalitet.
“Shembulli i propozimeve nga Lëvizja Vetëvendosje për Kryetar të Kuvendit e tregon më së miri: Albulena Haxhiu, Donika Schwartz, Hekuran Murati – të tre me qëndrime dhe veprime kundër UÇK-së dhe trashëgimisë së saj. Njëra duke ua zvogëluar fondet e mbrojtjes në Gjykatën e Hagës, tjetra duke pranuar se ka dorëzuar dosje kundër krerëve të UÇK-së, e tjetri duke përjashtuar nga paga minimale kategoritë e luftës çlirimtare dhe duke i fyer luftëtarët e lirisë në krahasimet që ua bënte me mercenarë. Edhe Kryekuvendari i ri, me artikullin e tij morbid kundër UÇK-s, i cili doli dje në pah, vetëm sa e konfirmon filozofinë e Vetëvendosjes: sa më shumë të distancohesh nga UÇK-ja, aq më shpejt ngjitesh në parti. Kjo edhe mund të jetë formula e tyre e brendshme”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se turpi i mbetet Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, të cilët me insistim e kandiduan Dimal Bashën.
“Por, një gjë po vërtetohet edhe tash, siç e kishim thënë në dy herët e kandidimit të tij – ai nuk është i denjë që të jetë Kryetar i Kuvendit. Ndërsa, sa për PDK-në, partinë që e pasoi UÇK-në, pavarësisht gjithçkaje e çdo zhurme, do ta mbrojmë me çdo kusht, si çdo herë tjetër, luftën e UÇK-së dhe shtetin e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka reaguar pasi dje në publik doli një shkrim i tij si bashkëautor me Jana Arsovska e ku fyhet e akuzohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Ndonëse revista komplet punimin e prezanton në bashkautorësi të Bashës dhe Arskovskas, kreu i ri i Kuvendit thotë se ai është autor i pjesës vetëm ku në kapitullin që trajton islamin fundamental në Kosovë dhe Evropën Juglindore.
Kthimin e shkrimit të tij në fokus, ai e quan si sulm “me të pavërteta nga qarqe të caktuara”.