Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, se po e bllokon qëllimshëm nisjen e një projekti për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, ndërsa ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive, Dardan Velia për mbylljen e deponisë.
Në një konferencë për media, Musmurati ka thënë se menaxhimi i mbeturinave në Prishtinë është vështirësuar pas ndryshimit të orarit të deponisë së Mirashit.
Ajo ka deklaruar se që nga 18 tetori 2024, ministri Hekuran Murati nuk e ka nënshkruar, sipas saj qëllimshëm, nisjen e projektit me Bankën Zhvillimore Gjermane për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
“Hekuran Murati, qëllimshëm nuk e nënshkruan kredinë prej 74 milionë eurosh që mundëson blerjen e 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve”, ka thënë Musmurati.
Sipas saj, Prishtina po mbahet peng tash e dy vjet për shkak të, siç është shprehur, inateve politike.
Musmurati ka deklaruar se Komuna nuk do të qëndrojë pasive përballë situatës dhe ka akuzuar Dardan Velinë dhe ministrin Murati për bllokimin e pastrimit të kryeqytetit.
“Nuk mund të rrimë duarkryq përballë këtij presioni të jashtëzakonshëm. Nuk do të lejojmë që misionarët e Albin Kurtit për sabotimin e Prishtinës, Dardan Veliaj me një anë, e Hekuran Murati në anën tjetër ta bllokojnë pastrimin e Prishtinës”, ka deklaruar ajo.
Nënkryetarja e Prishtinës ka bërë të ditur se komuna do të paraqesë kallëzim penal ndaj Dardan Velisë, duke e akuzuar për mbylljen e qëllimshme të deponisë.