Gjykata Kushtetuese ka miratuar kërkesën e Listës Serbe për vendosjen e masës së përkohshme, lidhur me kërkesën që ka dorëzuar kjo parti të shtunën për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Sipas vendimit të Kushtetueses, masa e përkohshme është vendosur nga sot deri më datën 30 shtator, ashtu që deputetëve u ndalohet çdo veprim si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë, shkruan Reporteri.net.
“I. TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë; II. TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025”, thuhet në vendim.
Gjykata thekson se miratimi i masës së përkohshme deri më 30 shtator 2025, “nuk paragjykon në asnjë mënyrë meritat e kërkesës”.
“Gjykata vlerëson se ndalimi i të gjitha vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, dhe çdo procedurë e mëtejme për formimin e Qeverisë, mund të “evito[jë] rreziqe apo dëme të pariparueshme” që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore dhe nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën. Për më tepër, Gjykata vlerëson se, në kuptim të përcaktimeve të nenit 27 të
Ligjit, ekzistojnë rrethana të “interesit publik” e që përfshijnë ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Ndryshe, pavarësisht dështimit për zgjedhjen e nënkryetarit serb, Kryeparlamentari Dimal Basha e ka përmbyllur seancën konstituive të shtunën, duke e konsideruar Kuvendin si të konstituuar./Reporteri.net