Një person ka vdekur në Prizren, pasi ka rënë nga Kalaja. Bëhet fjalë për një 71-vjeçar me inicialet M.K.
Rastin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Më datën 09.09.2025, rreth orës 11:11, policia ka pranuar një informacion përmes telefonit se një person ishte rrëzuar nga Kështjella e Prizrenit. Menjëherë në drejtim të vendngjarjes janë nisur patrulla policore dhe autoambulanca. Në vendngjarje, patrulla policore ka konstatuar se bëhej fjalë për personin me inicialet M.K. (1954), i lindur në Llashkadrenoc, Malishevë, me vendbanim në Prizren. Sipas ekipit mjekësor të urgjencës, viktima ishte pa shenja jete”, ka deklaruar Bytyqi.
Bytyqi tha se nuk dihen aktualisht rrethanat se si ka ardhur deri te rënia e viktimës nga Kalaja e Prizrenit, teksa rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”.
“Për momentin, nuk dihen rrethanat se si ka ndodhur rënia e personit në fjalë. Policia, në konsultim me prokurorin, ka iniciuar rastin “Hetim i vdekjes” dhe është duke mbledhur informacione me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka thënë Bytyqi./Reporteri.net