Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe AKI-së, ku u arrestuan tre persona të dyshuar për krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash.
Përmes një postimi, Sveçla ka bërë të ditur se në këtë operacion është sekuestruar pasuri në vlerë mbi një milion euro.
“Lufta kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale po vazhdon pa kompromis”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka theksuar se institucionet e sigurisë mbeten të përkushtuara në identifikimin dhe goditjen e grupeve kriminale, pavarësisht mënyrës së veprimtarisë së tyre.
“Çdo aktivitet kriminal që synon përfitimin e paligjshëm dhe cenon sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve do të përballet me zbatimin e ligjit”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, aksioni është zhvilluar në katër lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku janë arrestuar tre persona.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, telefona, kompjuterë, USB, para të gatshme dhe dokumente të ndryshme.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, të arrestuarit përmes komunikimeve elektronike dhe telefonike kanë mashtruar kryesisht shtetas të huaj, duke i nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.