Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka zhvilluar biseda telefonike me liderët evropianë, pasi dronët rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë.
Tusk pas bisedave ka deklaruar se “mori jo vetëm shprehje solidariteti për Poloninë, por mbi të gjitha, propozime për mbështetje konkrete për mbrojtjen ajrore të vendit tonë”, raporton “The Guardian“, përcjell Reporteri.net.
Ai nuk ka ofruar më shumë detaje në këtë fazë.
Ndryshe, Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, ka deklaruar se është “i sigurt” që hyrja e dronëve rusë në hapësirën ajrore të Polonisë ishte “e planifikuar”, pasi avionët e NATO-s dhe ata polakë rrëzuan dronët që kishin hyrë në territorin e saj gjatë sulmeve të natës mbi Ukrainën.
Duke folur para gazetarëve, ai tha:“Dronët rusë kanë devijuar në hapësirën ajrore polake edhe më herët – jo vetëm dronë, por edhe raketa lundrimi. Kur një ose dy dronë e bëjnë këtë, mund të mendohet se është një defekt teknik. Por kanë qenë 19 shkelje dhe është e paimagjinueshme që kjo të ketë ndodhur rastësisht.”/Reporteri.net