Kryeministri britanik, Keir Starmer ka njoftuar të dielën se Mbretëria e Bashkuar po e njeh zyrtarisht shtetin palestinez, pas Kanadasë dhe Australisë, përcjell Reporteri.net.
Përballë tmerrit në rritje në Lindjen e Mesme, Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar po vepron për të mbajtur gjallë mundësinë e paqes.
Starmer tha se njohja nuk ishte një shpërblim për Hamasin, siç ka pretenduar Izraeli.
Kanadaja ishte shteti i parë që njohu Palestinën.
“Kanadaja njeh Shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë për ndërtimin e premtimit të një të ardhmeje paqësore, si për shtetin e Palestinës ashtu edhe për Shtetin e Izraelit”, shkroi Kryeministri kanadez, Mark Carney në një postim në X.
Carney kishte thënë në korrik se vendi i tij kishte qëllim të njihte Shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Në atë kohë, plani u kritikua nga zyrtarët izraelitë, të cilët e paraqitën vendimin si një “shpërblim për Hamasin.”
Pas Kanadasë, një njoftim erdhi edhe nga Australia duke e njohur zyrtarisht “Shtetin e Pavarur dhe Sovran të Palestinës.”
“Duke vepruar kështu, Australia njeh aspiratat legjitime dhe të gjatë të popullit palestinez për një shtet të tyre,” thanë Kryeministri australian, Anthony Albanese dhe ministrja e Punëve të Jashtme Penny Wong në një deklaratë të përbashkët.
/Reporteri.net/CNN/