Ka vdekur aktori i njohur shqiptar, Enver Petrovci, një nga figurat më të shquara të filmit, teatrit dhe televizionit në trojet shqiptare.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar edhe familjari i aktorit tashmë të ndjerë, Amir Petrovci.

“Me dhimbje dhe pikëllim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të aktorit tonë të dashur, Enver Petrovci. Kjo është një humbje e madhe për familjen tonë dhe për mbarë artin shqiptar. Ai do të kujtohet gjithmonë për shpirtin e tij fisnik dhe veprën e jashtëzakonshme që la pas”, ka shkraur ai në Facebook.

Reklamë

Enver Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Hapat e parë në aktrim i mori në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa studimet universitare për art dramatik i përfundoi në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd.

Karriera e tij përfshin dhjetëra role në teatër, film dhe televizion, ku spikat interpretimi i fuqishëm dhe aftësia për të mishëruar karaktere të ndryshme. Përveç aktrimit, Petrovci ka lënë gjurmë edhe si regjisor dhe dramaturg, duke sjellë vepra të rëndësishme në skenë. Ai është gjithashtu autor i disa librave dhe dramave që kanë pasuruar letërsinë shqipe.

Pas viteve 90-të, Petrovci e zhvendosi karrierën në trojet shqiptare, ku u angazhua si aktor, regjisor dhe pedagog.

Enver Petrovci është themelues i disa institucioneve kulturore në Kosovë, ndër to edhe “Akademia e Arteve në Prishtinë” e “Teatri i Babës” ku ka dhënë një kontribut të madh në formimin e gjeneratave të reja të artistëve.

Reklamë