Kryeparlamentari Dimal Basha është deklaruar për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku tha se për asnjërën nga pikat që është diskutuar nuk ka gjetur mirëkuptimin e partive.
Ai tha se nga mos funksionalizimi i komisioneve parlamentare, punëtorët e RTK’së mbesin pa paga, tri komunat do të kenë probleme financiare dhe se edhe mbi 80 mijë zyrtarë publikë mund të mbesin pa paga shkaku i mosprocedimit me buxhetit e shtetit, shkruan Reporteri.net.
Sipas tij, nuk ka shkelje ligjore e kushtetuese nëse themelohen komisionet.
“E kam shtru një diskutim me anëtarët e Kryesisë, por fatkeqësisht asnjë nga këto pika nuk kam gjet mirëkuptimin. Ne e dimë që jemi në situate të jashtëzakonshme, nuk është e zakontë me u mbledh Kryesia por unë mendoj ose së paku kam prit se sikur të kish pas vullnet politik, ka qenë bindja ime se s’ka pas asnjë shkelje ligjore dhe kushtetuese për me i themelu Komisionet, për me mujt procedu me buxhetin e RTK’së, tri buxhetet e komunës dhe buxhetin vjetor”, tha Basha.
Ai e cilësoi këtë si situatë të jashtëzakonshme.
“Mbi 700 punëdhënës në RTK që nuk do të marrin paga për pasojë. Gjendemi para një situate ku RTK mbetet pa buxhet të ri, komunat do të kenë probleme financiare, e për më tepër buxheti i Republikës nuk është procedu e siç e dini me zgjedhjet që na presin, mund të mbesin edhe mbi 80 mijë zyrtarë publik pa paga.”, deklaroi Basha.
Basha tha se beson se kjo ka qenë forma më e mirë për të dalë nga kriza aktuale. /Reporteri.net