Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës njoftoi të shtunën se Ukraina do të fillojë bisedimet me SHBA-në në Zvicër, të dielën, mbi planin e propozuar prej 28 pikësh për paqe dhe kushtet e tij.
Ukraina do të nisë bisedimet me SHBA-në për planin 28-pikësh të sugjeruar së bashku nga Rusia dhe SHBA, të dielën, në Gjenevë, sipas zyrtarëve ukrainas që folën në margjinat e samitit të G20-s në Johanesburg. Këshilltarë të sigurisë nga Franca, Britania, Gjermania dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian do të jenë gjithashtu të pranishëm.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të shtunën se ai kishte emëruar një delegacion për të diskutuar me Uashingtonin planin për të ndalur luftën e Rusisë në Ukrainë.
Në një video, Zelenskyy tha: “Kam nënshkruar një dekret për përbërjen e delegacionit ukrainas dhe kam miratuar të gjitha direktivat përkatëse.” Ai shtoi: “Përfaqësuesit tanë e dinë si të mbrojnë interesat kombëtare të Ukrainës dhe saktësisht çfarë nevojitet për të parandaluar që Rusia të kryejë një pushtim të tretë, një tjetër sulm kundër Ukrainës.”
Sipas Rustem Umerov, Sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Ukraina po hyn në fazën e fundit të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara me një “kuptim të qartë” të interesave të saj kombëtare, tha Umerov.
Në një postim në Facebook, Umerov shkroi: “Këto ditë në Zvicër, ne fillojmë konsultimet midis zyrtarëve të lartë të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara mbi parametrat e mundshëm të marrëveshjes së ardhshme të paqes.”