Helsinki zyrtar ka njoftuar se ka vendosur kufizime të përkohshme në trafikun ajror dhe detar në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, me qëllim mbrojtjen e civilëve dhe lejimin e autoriteteve që të ndërhyjnë në rast se do të ishte e nevojshme të interceptoheshin dronë.

Vendimi ka ardhur pasi një anije mallrash ruse, e lidhur me ushtrinë, është goditur nga dronë dhe ka marrë flakë të shtunën në Detin Baltik.

Autoritetet finlandeze kanë thënë se sulmi ishte i kryer nga Ukraina, teksa anija ishte zhvendosur nga rrymat, drejt ujërave territoriale finlandeze.

Reklamë

“Lufta po përhapet në zonat tona fqinje. Autoritetet finlandeze po e menaxhojnë situatën në Gjirin e Finlandës, ku një sulm me dron ka goditur një anije tregtare ruse. Ukraina ka të drejtë të luftojë kundër agresorit”, ka shkruar në rrjetin X kryeministri finlandez, Petteri Orpo.

16 anëtarët e ekuipazhit të anijes Sparta II janë evakuuar në varka shpëtimi dhe më pas janë transferuar në një anije tjetër ruse aty pranë. Ata janë rrugës për t’u kthyer në Rusi, ka thënë të shtunën vonë për transmetuesin publik Yle komandanti i Rojës Kufitare të Finlandës, Ilja Iljin.

Ukraina ka nisur këtë vit valë dronësh ushtarakë drejt rajonit të Leningradit, në veriperëndim të Rusisë, përfshirë disa që kanë devijuar drejt hapësirës ajrore të vendeve të rajonit të Baltikut, duke nxitur shqetësime se lufta po prek territorin e NATO-s.

“Ka të ngjarë që Ukraina … të jetë prapa këtij sulmi”, ka thënë në një konferencë për shtyp zëdhënësi i Forcave të Armatosura të Finlandës, Aki-Mauri Huhtinen, duke shtuar se nuk dihet ende pse anija ishte shënjestruar.

Anija, e cila ishte nisur drejt enklavës ruse të Kaliningradit, është dëmtuar në ujërat ndërkombëtare, në perëndim të ishullit Gogland të Rusisë, kanë njoftuar Forcat e Mbrojtjes së Finlandës, duke konfirmuar një njoftim të mëhershëm të zyrtarëve rusë.

Reklamë

Zjarri në anije ka vazhduar edhe të dielën teksa Finlanda po drejton operacionin e shpëtimit, pasi anija ndodhet e ankoruar në ujërat e saj.

Një helikopter rus dyshohet se ka shkelur për pak kohë hapësirën ajrore të Finlandës gjatë operacionit të shpëtimit, ka thënë Mikko Simola, komandant i Rojës Bregdetare të Gjirit të Finlandës.

Finlanda dhe Suedia janë anëtarët më të rinj të NATO-s. Ato i janë bashkuar aleancës ushtarake përkatësisht në vitin 2023 dhe 2024, si përgjigje ndaj pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

“Pasojat e luftës kundër agresionit rus kanë mbërritur në Detin Baltik. Një tjetër sinjal për agresorin që të ndalet. Por asgjë nuk do të na pengojë të mbështesim Ukrainën”, ka shkruar në rrjetin X kryeministri i Estonisë, Kristen Michal.

Reklamë

Estonia ka dërguar një anije të marinës për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit, përfshirë shuarjen e zjarrit dhe përballimin e ndotjes, ka njoftuar qeveria e saj.

Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, anija është subjekt i sanksioneve të SHBA-së dhe ka lidhje me kompaninë ruse të transportit detar Oboronlogistika.

Sipas faqes së internetit të kompanisë, Oboronlogistika ofron shërbime logjistike për ministrinë ruse të Mbrojtjes.

“Për momentin nuk ka informacion të konfirmuar për ngarkesën që ndodhet në bord, por nuk mund të përjashtohet mundësia që aty të ketë materiale ushtarake”, ka thënë Iljin nga Roja Kufitare e Finlandës.

Reklamë

Gjiri i Finlandës është një krah i ngushtë i Detit Baltik midis Finlandës dhe Estonisë që shtrihet në lindje deri në Shën Petersburg. Gogland shtrihet në Gjirin lindor të Finlandës./Koha.net