Presidenti Donald Trump e quajti “një akt të së keqes dhe një akt terrori” rastin e djeshëm në Washington.
Premtimi i tij erdhi teksa autoritetet mbanin në ndalim një burrë që Trump e përshkroi si shtetas afgan, i dyshuar për të shtënat ndaj dy rezervistëve të Gardës Kombëtare të Virxhinias Perëndimore në Washington, DC. Ata ishin në kryeqytet si pjesë e dislokimit të trupave nga Trump për të forcuar rendin dhe ligjin.
Presidenti, duke folur me video nga resorti i tij Mar-a-Lago në Florida, kaloi shpejt nga nderimi i viktimave të tragjedisë te fajësimi i administratës Biden për sjelljen e të dyshuarit në Shtetet e Bashkuara pas tërheqjes së trupave amerikane në vitin 2021. Ai pretendoi se incidenti “nënvizon kërcënimin më të madh të sigurisë kombëtare që përballet kombi ynë”, raporton CNN.
Trump sulmoi emigrantët somalezë në Minnesota, megjithëse nuk kishte asnjë lidhje të dukshme me të shtënat në DC. Ai pretendoi se ata “po e rrjepin vendin tonë dhe po e shqyejnë atë shtet dikur të mrekullueshëm”. Trump e përshkroi Somalinë si një vend që ka “as ligje, as ujë, as ushtri, asgjë”.
Detajet e plota të incidentit në Washington ende nuk janë të njohura.
Ai u zotua të “rishqyrtojë çdo të huaj” që ka ardhur në SHBA nga Afganistani.
Të shtënat në Washington, DC, ishin shpërthimi më i fundit i dhunës publike në një vit të dhimbshëm që pa vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk dhe vrasjen e një ligjvënëseje shtetërore dhe bashkëshortit të saj në Minnesota.
Tragjedia e së mërkurës mori nuanca edhe më të dhimbshme teksa amerikanët u mblodhën me familjet e tyre para festës kombëtare, dhe la plagë të thellë për njerëzit e Virxhinias Perëndimore, e cila është ndër disa shtetet që dërgojnë rezervistë vullnetarë në DC./Reporteri.net/