Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin Homs në Siri gjatë faljes së së premtes, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 8 personave dhe plagosjen e 18 të tjerëve. Ngjarja ka ndodhur brenda xhamisë “Imam Ali ibn Abi Talib”, sipas Ministrisë siriane të Shëndetësisë.
Pamjet e publikuara nga agjencia shtetërore e lajmeve SANA tregojnë skena tronditëse nga brenda xhamisë. Mure të nxira nga zjarri, dritare të thyera dhe gjak mbi qilimat ku besimtarët po faleshin. Sipas burimeve të sigurisë, dyshohet se një mjet shpërthyes ishte vendosur dhe detonuar brenda ndërtesës.
Autoritetet siriane vijojnë kërkimet për autorët e sulmit, ndërsa përgjegjësinë e ka marrë grupi xhihadist Saraya Ansar al-Sunnah. Ky grup ekstremist sunit ka deklaruar se e ka kryer sulmin në bashkëpunim me një grup tjetër ende të paidentifikuar, duke përdorur eksplozivë të vendosur në vendngjarje.
Xhamia ndodhet në lagjen Uadi al-Dhahab, një zonë ku shumica e banorëve i përkasin komunitetit alavit. Ministria e Jashtme e Sirisë e ka dënuar ashpër ngjarjen, duke e cilësuar si një “krim terrorist” dhe një “akt frikacak” që synon të minojë sigurinë dhe stabilitetin e vendit, si dhe të godasë vlerat njerëzore dhe morale.
Saraya Ansar al-Sunnah është bërë më e njohur në muajt e fundit pas pretendimeve për disa sulme të rënda, përfshirë edhe një atentat ndaj një kishe në Damask në qershor. Origjina e paqartë dhe lidhjet e errëta të këtij grupi kanë ngritur dyshime mes vëzhguesve, disa prej të cilëve spekulojnë se ai mund të jetë një strukturë mbuluese e grupit ekstremist Shteti Islamik (IS), për shkak të ngjashmërisë në gjuhë dhe objektiva.
Ky sulm vjen pas një periudhe disa mujore qetësie relative në aktivitetet e pretenduara nga ky grup, të cilat më herët janë fokusuar kryesisht në vrasje të synuara të pakicave dhe individëve që i quanin “mbetje” të regjimit të mëparshëm sirian.
Shpërthimi ndodh rreth një vit pasi forcat rebele siriane rrëzuan nga pushteti ish-presidentin Bashar al-Assad, i cili i përkiste komunitetit alavit, një degë e Islamit shiit dhe një nga pakicat më të mëdha fetare në Siri. Pas rënies së tij, vendi është përfshirë nga valë të përsëritura dhune sektare, me komunitetin alavit që shpreh frikë nga hakmarrjet dhe represioni.
Assad u largua drejt Rusisë, një aleate e hershme e regjimit të tij, ku ai dhe familja e tij kanë përfituar azil politik. Ndërkohë, tensionet sektare kanë vijuar. Në muajin mars, forcat e sigurisë u akuzuan se kishin vrarë dhjetëra alavitë në provincën bregdetare të Latakias, sipas raportimeve të Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR).
Sulmi i fundit në Homs rrezikon të thellojë edhe më tej ndarjet sektare dhe të rikthejë frikën e një përshkallëzimi të ri të dhunës në Siri, në një periudhë tashmë të brishtë për stabilitetin e vendit. /BBC/