Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka arritur në Mar-a-Lago, në Palm Beach të Floridës, ku është pritur nga Presidenti i ShBA’së, Donald Trump, raporton CNN, përcjell Reporteri.net.
Dyshja pritet të diskutojnë fazën e ardhshme të planit të paqes të Trump për Gazën, i cili përfshin çarmatimin e Hamasit, vendosjen e një qeverisjeje të re në Rripin e Gazës dhe rindërtimin.
Trump para takimit ka deklaruar se do të përpiqet të nisë “sa më shpejt që të jetë e mundur” fazën e dytë të planit të paqes për Gazën.
“Shumë shpejt, sa më shpejt që të mundemi, por duhet të ketë çarmatim, duhet të çarmatosim Hamasin,” ka deklaruar Trump.
Më shumë se dy muaj pasi Trump udhëtoi drejt Egjiptit për të nënshkruar marrëveshjen e paqes për Gazën, pjesë kyçe të marrëveshjes mbeten ende të papërcaktuara, ndërsa Izraeli po shtrëngon kontrollin e tij ushtarak mbi enklavën e goditur rëndë./Reporteri.net