Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka mohuar akuzat e Rusisë se Ukraina ka kryer një sulm me dronë ndaj një prej rezidencave të presidentit Vladimir Putin dhe e ka akuzuar Moskën se po përpiqet të minojë bisedimet për paqe.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka pretenduar se Kievi ka kryer një sulm gjatë natës duke përdorur 91 mjete ajrore pa pilot (UAV) me rreze të gjatë veprimi ndaj rezidencës shtetërore të Putinit në rajonin veriperëndimor rus të Novgorodit.
Rusia ka deklaruar se tani do të rishikojë qëndrimin e saj në negociatat e paqes. Nuk është ende e qartë se ku ndodhej Putini në kohën e sulmit të pretenduar.
Zelensky i ka hedhur poshtë këto pretendime si “gënjeshtra tipike ruse”, të destinuara për t’i dhënë Kremlinit një justifikim për të vazhduar sulmet ndaj Ukrainës.
Ai ka thënë se Rusia më herët kishte shënjestruar ndërtesa qeveritare në Kiev.
Zelensky ka shtuar në platformën X: “Është kritike që bota të mos qëndrojë e heshtur tani. Nuk mund të lejojmë që Rusia të minojë punën për arritjen e një paqeje të qëndrueshme.”/Reporteri.net/