Kina ka dënuar sërish veprimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, duke thënë se ky veprim shkel qartazi të drejtën ndërkombëtare dhe rrezikon paqen dhe sigurinë në Amerikën Latine dhe Karaibe, përcjell Reporteri.net.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës deklaroi të hënën se kërkon lirimin e menjëhershëm të Maduros dhe bashkëshortes së tij, të cilët pritet të paraqiten gjatë ditës së hënë në një gjykatë në New York.

Ministria theksoi se SHBA-ja duhet të “ndalë përpjekjet për të minuar qeverinë e Venezuelës dhe të zgjidhë mosmarrëveshjet përmes dialogut dhe negociatave”.

Reklamë

E pyetur për kontaktet me presidenten e përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodriguez, Ministria e Jashtme tha se Kina “beson se qeveria e Venezuelës do t’i trajtojë siç duhet çështjet e saj të brendshme në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e veta”.

“Pavarësisht se si ndryshon situata politike në Venezuelë, gatishmëria e Kinës për të thelluar bashkëpunimin praktik me Venezuelën në të gjitha fushat nuk do të ndryshojë”, thuhet më tej.

“Kina mbështet thirrjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një mbledhje urgjente lidhur me sulmet ushtarake të Shteteve të Bashkuara kundër Venezuelës”, tha Ministria e Jashtme. Mbledhja e OKB-së pritet të mbahet më vonë të hënën, me kërkesë të Kolumbisë.

Të dielën, ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, akuzoi SHBA-në se po sillet si një “gjykatës botëror” duke e kapur Maduron për ta nxjerrë në gjyq në New York.

“Nuk kemi besuar kurrë se ndonjë vend mund të veprojë si polic i botës, as nuk pranojmë që ndonjë shtet të pretendojë se është gjykatësi i botës”, tha Wang gjatë një takimi në Pekin me homologun e tij pakistanez.

Reklamë

“Sovraniteti dhe siguria e të gjitha vendeve duhet të mbrohen plotësisht në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, shtoi ai.

/CNN/Reporteri.net/