Shtëpia e Bardhë thotë se Donald Trump dhe këshilltarët e tij më të afërt po diskutojnë opsionet për marrjen nën kontroll të Grenlandës, teksa presidenti amerikan vazhdon të diskutoj se kjo do t’i shërbente sigurisë së ShBA-së.

Këto kërkesa janë refuzuar nga udhëheqësit e ishullit dhe nga Danimarka, vend anëtar i NATO-s, nën sovranitetin e së cilës Grenlanda gëzon statusin e territorit gjysmë-autonom.

Ku ndodhet Grenlanda dhe pse ka rëndësi për Trumpin?

Reklamë

Grenlanda – ishulli më i madh në botë që nuk është kontinent – ndodhet në Arktik. Ajo është gjithashtu territori më pak i populluar. Rreth 56 mijë njerëz jetojnë atje, kryesisht popullsi autoktone Inuitë.

Rreth 80% e territorit të saj është i mbuluar me akull, çka bën që shumica e banorëve të jetojnë në bregun jugperëndimor, rreth kryeqytetit Nuuk.

Ekonomia e Grenlandës bazohet kryesisht në peshkim dhe ajo përfiton subvencione të mëdha financiare nga qeveria daneze.

Por vitet e fundit është shtuar interesimi për burimet natyrore të Grenlandës, përfshirë nxjerrjen e mineraleve të rralla, uraniumit dhe hekurit. Këto burime mund të bëhen më të qasshme ndërsa ngrohja globale çon në shkrirjen e shtresës masive të akullit që mbulon ishullin.

Reklamë

Burimet e vlefshme minerare kanë qenë një fokus kyç i Trumpit edhe në pjesë të tjera të botës, përfshirë marrëdhëniet e tij me Ukrainën.

Megjithatë, presidenti amerikan ka deklaruar: “Na duhet Grenlanda për sigurinë kombëtare, jo për mineralet.”

Ai ka thënë gjithashtu se “Grenlanda është e mbuluar gjithandej me anije ruse dhe kineze”.

Shumë ligjvënës republikanë ndajnë qëndrimin se siguria e ShBA-së është e rrezikuar nga këto dy vende, të cilat shpesh konsiderohen si kundërshtarë të ShBA-së.

Reklamë

Çfarë ka thënë Trump për kontrollin e Grenlandës nga SHBA-ja?

Trump ka përsëritur thirrjet e mëparshme që ShBA-ja të marrin nën kontroll Grenlandën, pas operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë, gjatë të cilit u kapën presidenti Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij dhe u dërguan në New York.

Kryeministri i ishullit, Jens Frederik Nielsen, reagoi duke thënë “mjaft më”, duke e cilësuar idenë e kontrollit amerikan si një “fantazi”.

Megjithatë, Trump dhe aleatët e tij vijuan të përsërisin kërcënimet. Presidenti deklaroi se ishte “shumë serioz” lidhur me planet e tij, duke shtuar se Grenlanda është e rëndësishme si për sigurinë evropiane, ashtu edhe për atë amerikane.

Reklamë

Një nga këshilltarët e tij kryesor, Stephen Miller, tha se “askush nuk do të luftojë me ShBA-në për të ardhmen e Grenlandës”.

ShBA-ja nuk e kanë përjashtuar përdorimin e forcave të armatosura për të marrë kontrollin e territorit. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha në një seance dëgjimore në Kongres në qershor se Pentagoni kishte “plane rezervë”.

Disa ditë pas operacionit në Venezuelë, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Trump dhe ekipi i tij po diskutonin opsione për ta siguruar Grenlandën, përfshirë edhe “përdorimin e ushtrisë amerikane”.

Në vitin 2019, gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Trump ofroi ta blinte ishullin, por iu tha se ai nuk ishte në shitje.

Reklamë

Ai e ringjalli interesimin për Grenlandën pasi u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025 dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës.

Ka pasur gjithashtu vizita të nivelit të lartë që kanë shkaktuar polemika. Nënpresidenti JD Vance udhëtoi në Grenlandë në mars dhe mbajti një fjalim ku akuzoi Danimarkën se nuk po investon mjaftueshëm për mbrojtjen e territorit.

Një përplasje e re mbi qëllimet e SHBA-së u ndez në fund të vitit 2025, kur Trump emëroi një të dërguar të posaçëm për Grenlandën, Jeff Landry, i cili ka folur hapur për ta bërë ishullin pjesë të Shteteve të Bashkuara.

Çfarë kanë thënë Danimarka dhe aleatët e tjerë të NATO-s?

Qëndrimi i Trumpit e ka tronditur Danimarkën, e cila tradicionalisht ka pasur marrëdhënie të ngushta me Washingtonin.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, paralajmëroi se çdo përpjekje për të marrë nën kontroll Grenlandën do të nënkuptonte fundin e NATO-s.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, një tjetër udhëheqës i NATO-s, u pyet nëse do t’i thoshte Trumpit “larg duart nga Grenlanda”. Ai u përgjigj: “Po”.

Starmer nënshkroi një deklaratë së bashku me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës dhe Danimarkës, ku thuhej: “Grenlanda u përket njerëzve të saj dhe vetëm Danimarka dhe Grenlanda mund të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e tyre.”

Pse Danimarka e kontrollon Grenlandën?

Edhe pse është pjesë e kontinentit të Amerikës së Veriut, Grenlanda është nën kontrollin e Danimarkës.

Megjithatë, interesi i Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Grenlandës daton gjithashtu prej shumë kohësh dhe dy administrata amerikane para Trumpit kanë bërë përpjekje të pasuksesshme për ta marrë atë.

Ishulli u qeveris si koloni deri në mesin e shekullit XX. Gjatë pjesës më të madhe të kësaj periudhe, ai mbeti i izoluar dhe i varfër, përcjell Reporteri.net.

Pasi Gjermania naziste pushtoi Danimarkën kontinentale gjatë Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja pushtoi Grenlandën, duke vendosur aty baza ushtarake dhe stacione radioje.

Pas luftës, forcat amerikane mbetën në Grenlandë. Baza Hapësinore Pituffik, e njohur më parë si Baza Ajrore Thule, është operuar nga SHBA-ja që prej asaj kohe.

Në vitin 1951, një marrëveshje mbrojtjeje me Danimarkën i dha SHBA-së një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e territorit, përfshirë të drejtën për të ndërtuar dhe mirëmbajtur baza ushtarake.

Në vitin 1953, ishulli u bë pjesë e Mbretërisë së Danimarkës dhe banorët e Grenlandës fituan shtetësinë daneze.

Në vitin 1979, një referendum për vetëqeverisje i dha Grenlandës kontrollin mbi shumicën e politikave të brendshme, ndërsa Danimarka mbajti përgjegjësinë për politikën e jashtme dhe mbrojtjen.

Grenlanda sot strehon si baza ushtarake daneze, ashtu edhe amerikane.

Çfarë mendojnë banorët e Grenlandës?

Në reagim ndaj kërcënimeve të Trumpit në fillim të vitit 2026, kryeministri i Grenlandës, Nielsen, deklaroi: “Mjaft më me presione. Mjaft më me nënkuptime. Mjaft më me fantazi për aneksim.

Ne jemi të hapur për dialog. Jemi të hapur për diskutime. Por kjo duhet të ndodhë përmes kanaleve të duhura dhe me respekt për të drejtën ndërkombëtare.”

Kur korrespondenti i BBC-së, Fergal Keane, vizitoi ishullin në vitin 2025, ai dëgjoi vazhdimisht të njëjtën fjali: “Grenlanda u përket grenlandezëve. Pra, Trump mund të vijë për vizitë, por kaq.”

Kjo çështje u bë tema kryesore gjatë zgjedhjeve të përgjithshme në territor po atë vit.

Sondazhet tregojnë se shumica e grenlandezëve mbështesin pavarësinë nga Danimarka, por një shumicë dërrmuese e tyre e kundërshtojnë gjithashtu idenë që Grenlanda të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara.

Kur Trump e hodhi për herë të parë idenë e blerjes së Grenlandës në vitin 2019, shumë banorë vendas u shprehën kundër propozimit.

“Kjo është një ide shumë e rrezikshme,” tha Dines Mikaelsen, operator turistik.

“Ai po na trajton si një mall që mund ta blejë,” tha Aleqa Hammond, kryeministrja e parë grua e Grenlandës./BBC/Reporteri.net/