Shteti i Minesotës po përballet me pasojat e vrasjes me armë të një gruaje 37-vjeçare gjatë një operacioni të ICE-s në Minneapolis.

Zyrtarë lokalë, shtetërorë dhe federalë po përplasen mes vete për mënyrën se si e përshkruajnë saktësisht atë që ka ndodhur.

Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, tha se gruaja, Renee Nicole Good, kishte qenë duke “ndjekur dhe penguar” oficerët gjatë gjithë ditës dhe se kishte tentuar të “përdorte automjetin e saj si armë” për të përplasur një oficer, duke e cilësuar veprimin si “terrorizëm të brendshëm”.

Reklamë

Ndërkaq, Këshilli Bashkiak i Minneapolisit tha në një deklaratë se Good ishte duke “u kujdesur për fqinjët e saj” kur u qëllua për vdekje. Kryetari i qytetit akuzoi agjentin e përfshirë se kishte vepruar në mënyrë të pakujdesshme.

Ndërkohë, banorët u mblodhën të mërkurën mbrëma në Minneapolis për një homazh për Renee Nicole Good. Ngjarja nxiti gjithashtu protesta në disa qytete të tjera të SHBA-së.

/Reporteri.net/