Aldrich Ames, një nga emrat më të famshëm dhe më të dëmshëm në historinë e inteligjencës amerikane, ka vdekur në moshën 84-vjeçare në një burg të Maryland-it. Lajmi u konfirmua nga Byroja e Burgjeve, duke i dhënë fund historisë së njeriut që tronditi themelet e CIA-s gjatë Luftës së Ftohtë.

Ames punonte në sektorin e kundërzbulimit të CIA-s, i fokusuar te Bashkimi Sovjetik. Për gati një dekadë, ai i kaloi Moskës informacione tepër sekrete, duke përfshirë emrat e agjentëve perëndimorë që vepronin pas “Perdes së Hekurt”.

Për shërbimet e tij, ai pranoi se u pagua nga Rusia me rreth 2.5 milionë dollarë. Tradhtia e tij doli në dritë në shkurt të vitit 1994, kur u arrestua së bashku me bashkëshorten, Rosario Ames.

Reklamë

Ndryshe nga shumë spiunë që veprojnë për ideologji, Ames pranoi se u shty nga motive krejtësisht banale: problemet financiare.

“U shtyva nga nevojat e menjëhershme për para”, u shpreh ai para dënimit, duke shprehur “turp dhe faj” për tradhtinë e besimit, por njëkohësisht u përpoq të minimizonte dëmin që kishte shkaktuar.

Sipas tij, luftërat e spiunazhit ishin thjesht një “shfaqje dytësore” që nuk ndikonin realisht në sigurinë kombëtare. Megjithatë, për shkak të informacioneve të tij, shumë agjentë që punonin për SHBA-të u zbuluan dhe u ekzekutuan nga Moska.

Dënimi dhe vitet e fundit

Në vitin 1994, Ames u dënua me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht, ndërsa bashkëshortja e tij mori një dënim prej pesë vitesh për bashkëpunim.

Reklamë

Emri i tij u rikthye në vëmendjen e publikut në vitin 2018 përmes librit “Spiuni dhe Tradhtari” i Ben Macintyre. Libri tregonte se si Ames kishte dekonspiruar kolonelin e KGB-së, Oleg Gordievsky, i cili punonte fshehurazi për inteligjencën britanike MI6.

Me vdekjen e tij në burg, mbyllet një nga kapitujt më të errët të spiunazhit botëror, që detyroi SHBA-të të rishikonte të gjitha sistemet e saj të sigurisë së brendshme.