Ish-kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili, u dënua këtë të hënë me pesë vite burg me akuzën e pastrimit të parave. Sipas zyrës së prokurorisë, ky vendim vjen pas një kontrolli në banesën e tij ku u gjetën dhe u sekuestruan 6.5 milionë dollarë.
Garibashvili, i cili ka shërbyer në dy mandate si kryeministër, pranoi se kishte përfituar të ardhura të paligjshme gjatë viteve të fundit dhe arriti një marrëveshje me drejtësinë për të kufizuar kohën e qëndrimit në qeli.
Ky dënim shihet si pjesë e një lëvizjeje më të gjerë brenda partisë në pushtet, “Ëndrra Gjeorgjiane”, e cila po përballet me kritika të ashpra për afrim të tepërt me Rusinë. Garibashvili njihej si një nga aleatët më të ngushtë të miliarderit Bidzina Ivanishvili, njeriu që kontrollon partinë në pushtet.
Analistët mendojnë se burgosja e tij dhe e zyrtarëve të tjerë të lartë mund të jetë shenjë e luftës së brendshme për pushtet, sidomos pasi disa drejtues të partisë janë goditur nga sanksionet perëndimore.
Gjeorgjia ndodhet në një krizë të thellë politike që nga zgjedhjet e tetorit, të cilat opozita i quan të vjedhura. Ndërsa qeveria thotë se po lufton korrupsionin, kritikët dhe vëzhguesit ndërkombëtarë akuzojnë pushtetin për goditje ndaj shoqërisë civile dhe largim nga rruga e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë viteve të fundit, autoritetet në Gjeorgji kanë burgosur disa figura të rëndësishme pro-evropiane, duke shtuar dyshimet se vendi po rrëshqet drejt ndikimit të Moskës.