BBC ka paraqitur një kërkesë në gjykatë për të rrëzuar padinë e Donald Trump për mënyrën se si u redaktua fjalimi i tij i 6 janarit 2021 në një dokumentar të Panorama.

Presidenti amerikan ngriti një padi prej 5 miliardë dollarësh muajin e kaluar, duke akuzuar BBC-në për shpifje dhe për shkelje të një ligji mbi praktikat tregtare. Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë, argumentohet se gjykata e Floridës nuk ka juridiksion mbi BBC-në, vendi i procesit është i papërshtatshëm dhe se Trump nuk ka arritur të paraqesë një pretendim të vlefshëm ligjërisht.

Media britanike gjithashtu thotë se programi Panorama nuk u transmetua në SHBA dhe nuk ka dëmtuar imazhin e presidentit amerikan.

Reklamë

BBC shton se Donald Trump nuk ka pësuar asnjë dëm real, pasi ai arriti të rizgjidhej pas transmetimit të dokumentarit dhe po ashtu fitoi Floridën me një shumicë të thellë. Trump pretendon se dokumentari është transmetuar në platformën BritBox, gjë që BBC e ka mohuar. Po ashtu, BBC argumenton se nuk ekziston “keqdashje” në publikimin e materialit, një kriter i rëndësishëm në rastet e shpifjes ndaj figurave publike.

BBC më parë i kërkoi falje Trumpit për redaktimin, por hodhi poshtë kërkesat e tij për dëmshpërblim.
Gjithashtu, ajo pranoi se me editimin e bërë ishte krijuar një përshtypje e gabuar sikur Trump bënte thirrje të drejtpërdrejta për veprime të dhunshme.

BBC ka kërkuar gjithashtu pezullimin e procesit të shkëmbimit të provave deri në një vendim mbi kërkesën për rrëzim të padisë. Nëse çështja vijon, një datë e mundshme gjyqi është parashikuar për vitin 2027.