Organet kundër korrupsionit në Ukrainë kanë ngritur akuza të rënda ndaj ish-kryeministres Julia Timoshenko. Ajo dyshohet se ka drejtuar një skemë për “blerjen e votave” brenda parlamentit.
Ndonëse Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) nuk e përmendi emrin e saj drejtpërdrejt në njoftim, burime për agjencinë e lajmeve “Reuters” konfirmuan se bëhet fjalë pikërisht për Timoshenkon.
Sipas hetuesve, nuk bëhej fjalë për raste të veçuara, por për një sistem të organizuar mirë. Deputetët dyshohet se merrnin pagesa paraprake në këmbim të votave të tyre për ligje të caktuara, ose për të mos votuar fare, sipas porosive që merrnin.
Ish-liderja e “Revolucionit Portokalli”, e cila ka shërbyer dy herë si kryeministre e Ukrainës, i ka mohuar të gjitha akuzat. Përmes një postimi në Facebook, ajo u shpreh se do ta pastrojë emrin e saj në gjykatë, pa dhënë detaje të tjera mbi hetimin.
Tymoshenko, deklaroi këtë të mërkurë, se autoritetet bastisën gjatë natës zyrat e partisë së saj.
Tymoshenko ka qenë një nga udhëheqëset e Revolucionit Portokalli në Ukrainë në 2004-n dhe ka mbajtur postin e kryeministres për rreth katër vjet, në dy mandate mes viteve 2005 dhe 2010.
Ajo kandidoi kundër Volodymyr Zelensky në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019 dhe është përplasur me të në disa momente të presidencës së tij.
Ky hetim është pjesë e një fushate më të gjerë që Kievi po ndërmerr për të pastruar shtetin nga korrupsioni, një kusht ky kyç për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Muajt e fundit, skandale të ngjashme kanë përfshirë edhe ministra e zyrtarë të tjerë të lartë.
Julia Timoshenko mbetet një nga figurat më të njohura politike në Ukrainë që nga vitet ’90, ndonëse fuqia e saj politike është zbehur vitet e fundit.