Një zjarr i madh përfshiu një qendër tregtare në Karaçi, qyteti më i madh i Pakistanit, duke shkaktuar një tragjedi të rëndë njerëzore.

Të paktën 23 persona kanë humbur jetën, përfshirë edhe një fëmijë, ndërsa dhjetëra të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja. Operacionet e shpëtimit po vazhdojnë mes vështirësive të mëdha.

Sipas autoriteteve, deri tani janë identifikuar vetëm gjashtë trupa, ndërsa për viktimat e tjera do të nevojiten teste ADN-je, pasi trupat janë dëmtuar rëndë dhe nuk mund të njihen. Mjekët ligjorë po mbledhin mostra ADN-je nga familjarët e personave të zhdukur për të mundësuar identifikimin.

Reklamë

Mediat lokale raportojnë se numri i viktimave mund të shkojë deri në 26.

Kryeministri i provincës Sindh, Murad Ali Shah, deklaroi se ekipet e shpëtimit po kërkojnë ende për të mbijetuar dhe viktima, ndërsa konfirmoi se mes të vdekurve ndodhet edhe një zjarrfikës. Ai njoftoi gjithashtu se qeveria do të ofrojë një kompensim prej 10 milionë rupi (rreth 33 mijë euro) për familjen e çdo personi që ka humbur jetën.

Kryetari i bashkisë së Karaçit, Murtaza Wahab, bëri të ditur se operacioni i shpëtimit do të vazhdojë derisa të gjithë personat e zhdukur të gjenden.

Zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të materialeve që ndodheshin në dyqane, si kozmetikë, veshje dhe produkte plastike. Jashtë qendrës tregtare, familjarë të personave të zhdukur presin me ankth për çdo lajm.

Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar dhe autoritetet kanë nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Reklamë

Karaçi ka një histori të gjatë zjarresh vdekjeprurëse, të cilat shpesh lidhen me mungesë standardesh sigurie dhe ndërtime të paligjshme.

Në nëntor të vitit 2023, një zjarr në një tjetër qendër tregtare në qytet shkaktoi vdekjen e 10 personave dhe plagosjen e 22 të tjerëve, ndërsa në vitin 2012 një zjarr i madh në një fabrikë veshjesh mori jetën e 260 personave.