Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung ka shkruar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke u përpjekur të sigurojë edhe një mandat si presidente përmes afërsisë demonstrative me familjen Trump.
Në artikullin e gazetarit gjerman Michael Martens, ndër të tjera thuhet se ky kalkulim i Osmanit mund të dështojë. Aty përmendet bashkimi i Kosovës në nismën globale të Trumpit, “Bordi i Paqes” dhe fakti që sipas shkrimit, ky hap u ndërmor pa u konsultuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Përkundrazi, thekson artikulli ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai që ia hapi Osmanit derën drejt Trumpit, meqë Rama ka qasje te familja e presidentit amerikan përmes dhëndrit të tij, Jared Kusher.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po përpiqet të sigurojë rizgjedhjen e saj si kryetare shteti përmes afërsisë demonstrative me familjen Trump. Por kalkulimi i saj mund të dështojë – edhe pse ajo arriti që Kosova të ishte ndër shtetet që së fundi, në Davos, iu bashkuan “Këshillit të Paqes” të dyshimtë të Donald Trumpit.
Osmani u shfaq me krenari në Zvicër në krah të presidentit amerikan dhe që prej asaj kohe flet për arritjen e madhe që përfaqëson anëtarësimi i vendit të saj si anëtar themelues i këtij formacioni. Sipas informacioneve jozyrtare nga Prishtina, ajo e ndërmori këtë hap pa u konsultuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Përkundrazi, thuhet se ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai që ia hapi Osmanit derën drejt Trumpit. Rama ka qasje te familja e presidentit amerikan, sepse i ka dhënë dhëndrit të Trumpit, Jared Kushnerit, kontratën për një projekt miliardësh të pasurive të paluajtshme në bregdetin mesdhetar të Shqipërisë. Kryeministri shqiptar nuk e duron dot Kurtin, udhëheqësin politik më të popullarizuar të të gjithë shqiptarëve të Ballkanit. Prandaj ai shfrytëzon çdo rast për ta forcuar Osmanin si rivale të Kurtit”, thekson artikulli.
Artikulli tutje thekson se Osmanit i nevojitet mbështetja e shumicës së Kuvendit të Kosovës, për të siguruar këtë mandat, por këtë nuk e ka. Në mbështetje të kësaj, thekson artikulli, Osmani prej javësh po përpiqet të paraqitet si “kandidatja e Trumpit”
“Si zëvendësim për mungesën e mbështetjes së brendshme, Osmani prej javësh po përpiqet të paraqitet si “kandidatja e Trumpit”. Kalkulimi: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në Kosovë, jo vetëm përmes bazës ushtarake Camp Bondsteel në jug të vendit, por edhe përmes gjithë historisë së shtetit të ri, një faktor kaq i rëndësishëm saqë ky etiketim mund t’i siguronte rizgjedhjen përndryshe shumë të pasigurt. Osmani paraqitet para publikut dhe deputetëve si e preferuara e Trumpit dhe kërcënon në mënyrë të tërthortë me kontaktet e saj (të supozuara) të mira me klanin e tij, thotë një bashkëbisedues i mirëinformuar në Prishtinë. Kërcënimi do të ishte: “Nëse nuk më rizgjidhni presidente, do të keni telashe me SHBA-të”, thuhet në artikull. /Reporteri.net/